5 shtatori, Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës! - Business Magazine Albania

5 shtatori, Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës!

Këtë të shtunë shënohet Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, misionares trupvogël me zemër të madhe, që u bë simbol i bamirësisë, vetëmohimit dhe shërbimit ndaj të pamundurve.

Më 5 shtator 2016, Nënë Tereza fituese e çmimit Nobel për Paqen, u shpall shenjtore nga papa Françesku duke njohur dy mrekullitë e saj, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes më 1997.

Papa Françesku e shkroi emrin e Shën Terezës së Kalkutës, murgeshës shqiptare të bamirësisë, në Kalendarin e Përgjithshëm Romak, i cili rregullon përkujtimet dhe kremtimet e vitit liturgjik. Ati i Shenjtë mori parasysh kërkesat e dëshirat e shumë ipeshkvinjve, meshtarëve, rregulltarëve dhe besimtarëve, që e kremtojnë shenjten më 5 shtator, dita e vdekjes së saj më 1997. Kjo mbetet edhe dita e përkujtimit liturgjik fakultativ, vendosur nga Papa.

Murgesha ‘u lumturua’ në tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II. Ai miratoi mrekullinë e parë pas vdekjes së saj. Një grua 30-vjeçare në Kalkuta tha se ajo u shërua nga një tumor në stomak pas lutjeve të Nënë Terezës. Një komitet i Vatikanit tha se nuk mund të gjente asnjë shpjegim shkencor për shërimin e saj dhe e shpalli atë një mrekulli.

Në ligjin “Për festat zyrtare” në Shqipëri u zëvendësua festa zyrtare e datës 19 shtator që është Dita e Lumturimit të Nënë Terezës, me datën 5 shtator, që është Dita e Shenjtërimit të saj.

Ndërsa në kalendarin e Kombeve të Bashkuara, 5 shtatori përkon me Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë, e shpallur si e tillë prej Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në nder të Nënë Terezës.

Misionarja shqiptare që iu përkushtua ndihmës ndaj të varfërve, pati një ndikimi të fuqishëm mbi miliona besimtarë në gjithë botën. E lindur më 26 gusht 1910, në Shkup, Nënë Tereza filloi misionin e saj në Kalkutë në vitin 1929. Pasi u largua nga Motrat e Loretos, në vitin 1950, themeloi Kongregatën e Misionareve të Dashurisë, e cila sot ka mbi gjashtë mijë murgesha aktive në 130 vende të botës, duke filluar nga më të varfrit dhe më të pazhvilluarit.

Në vitin 1979, murgeshës shqiptare iu dha Çmimi Nobel për Paqen dhe ajo kërkoi që shuma t’u dhurohej të varfërve.

Nënë Tereza vizitoi edhe Shqipërinë pas rënies së komunizmit, duke hapur shtëpitë e motrave të saj, që i shërbejnë edhe sot popullit, por sidomos i mësojnë, me shembullin e tyre, dhembshurinë e mëshirën me të cilën duhet të kujdeset për nevojtarët.

Nënë Tereza u nda nga jeta më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #42 – Qershor 2026

DIASPORA, pasuria e re strategjike e Shqipërisë!

Ekziston një paradoks në zemër të historisë ekonomike shqiptare të tridhjetë viteve të fundit. Vendi humbi dhe vazhdon të humbasë një pjesë të konsiderueshme të kapitalit të tij njerëzor që shkon drejt Evropës Perëndimore apo edhe Amerikës së Veriut. Ky proces, i dokumentuar me shifra alarmante është një plagë e hapur sociale e vendit dhe jo vetëm. Çdo vit Shqipëria dhe Kosova humbnin mjekë, inxhinierë, sipërmarrës etj. Fitonin: remitanca.

Por kjo llogaritje gjithmonë ka qenë e paplotë. Dhe tani, me gjeneratën e parë të diasporës shqiptare që ka arritur maturinë profesionale dhe sipërmarrëse, po bëhet e qartë se sa e paplotë ka qenë në të vërtetë.

Krenar Komoni nuk e ndërtoi Tive-n, platformën teknologjike me vlerësim mbi gjysmë miliardi dollarë sepse sistemi e favorizoi. Përkundrazi, ai ia doli duke mbartur me vete kapitalin më të rëndësishëm: aftësinë për të parë mundësi aty ku të tjerët shohin boshllëqe. E njëjta histori përsëritet te Arber Sejdiji, sipërmarrësi nga Kosova që nga Zyrihu kontribuon në transformimin e retail-it global. Po ashtu, Eva Gjoni, Brendon Ahmeti i Synaps etj…Këta nuk janë përjashtime. Ata janë sinjalet e para të një fenomeni më të madh: kapitali shqiptar po krijon vlerë …

See more
Follow us
0