“Nga vjen ky produkt dhe si është përpunuar?” Kjo është pyetja që e ka shoqëruar Ela Gjonin në procesin që çoi në krijimin e Rrënjë. Jo si një ide e lindur brenda natës, por si rezultat i një kërkimi personal për ushqim më të sigurt dhe i një përvoje profesionale që e afroi me fermerë të vegjël, prodhues dhe artizanë nga zona të ndryshme të Shqipërisë.
Gjoni kishte parë nga afër dy anë të të njëjtit zinxhir. Fermerë dhe prodhues që punonin me përkushtim dhe ruanin metoda, produkte e shije të lidhura me territorin, por që shpesh nuk kishin një kanal të drejtpërdrejtë për të arritur te konsumatori. Në anën tjetër, konsumatori urban kërkonte produkte cilësore, por kishte pak informacion për origjinën e tyre, mënyrën e përpunimit dhe njerëzit që qëndronin pas tyre. Për të, kjo hapësirë mes prodhuesit dhe konsumatorit ishte mundësia ku duhej të ndërhynte. Kështu Rrënjë nisi si një përpjekje për të ndërtuar një lidhje më të drejtpërdrejtë me ushqimin: të dish jo vetëm çfarë blen, por edhe nga vjen, kush e ka prodhuar dhe çfarë ka ndodhur deri sa ka mbërritur te konsumatori. Modeli i porosive paraprake është pjesë e kësaj qasjeje, duke e lidhur prodhimin me kërkesën reale dhe duke shmangur stokun e panevojshëm.
Por ideja nuk ndalet te shitja e produkteve artizanale. Rrënjë kërkon të ndërtojë një standard besueshmërie rreth asaj që ofron. Kjo do të thotë të mos përdorë termin “organik” pa certifikim, të tregojë origjinën e produkteve shqiptare dhe të shpjegojë sa më qartë historinë e tyre. Është një qasje që kërkon kohë, veçanërisht kur produktet artizanale kushtojnë më shumë dhe kur fermerët e vegjël përballen me barriera për certifikimin.
Për Ela Gjonin, sfida është që ushqimi natyral, sezonal, lokal dhe i përpunuar në mënyrë artizanale të mos mbetet një zgjedhje për një grup të kufizuar konsumatorësh. Synimi është më ambicioz: që këto produkte të bëhen pjesë e zgjedhjes së përditshme dhe që lidhja me prodhuesin të jetë po aq e rëndësishme sa vetë produkti.
Në këtë intervistë, themeluesja e Rrënjë tregon si lindi kjo ide, si përzgjidhen fermerët dhe prodhuesit që bëhen pjesë e saj, çfarë do të thotë “besueshmëri” kur certifikimi organik nuk është gjithmonë i arritshëm dhe si synon ta zgjerojë këtë model përmes produkteve të reja dhe partneriteteve.
Rrënjë lindi, siç e përcaktoni, “si nevojë për të besuar tek ushqimi që konsumojmë”. Cili moment apo përvojë konkrete ju bindi se kishte një boshllëk besueshmërie në tregun ushqimor shqiptar?
Në fakt, nuk mund të them se ishte një moment i vetëm. Ishte një proces që ka nisur me ndergjegjegjësimin tim ndaj asaj çfarë konsumoj. Sa më shumë kërkoja të ushqehesha mirë, të zgjidhja produkte më të pastra dhe të kuptoja se çfarë po vendosja në tryezë, aq më shpesh përballesha me të njëjtën pyetje: “Po ky produkt, nga vjen dhe si është përpunuar?”
Shpesh, kur kërkojmë në market një produkt që e perceptojmë si të shëndetshëm, përballemi me produkte të përpunuara, të konservuara dhe me një listë të gjatë përbërësish, aditivësh apo konservantësh. Për mua, cilësia e një ushqimi apo mënyra se si përpunohet është shumë e rëndësishme. Sa kohë qëndron në raft, çfarë i shtohet për ta zgjatur jetëgjatësinë dhe sa larg është nga forma e tij natyrale.
Ndërkohë nga eksperienca e punëve të mia të përparshme kam njohur edhe fermere të vegjël, prodhues, artizanë që punonin me shumë përkushtim dhe produkte shumë të mira, por që shpesh nuk kishin një mënyrë të drejtpërdrejtë për të arritur te konsumatori.
Aty kuptova se boshllëku nuk ishte domosdoshmërisht mungesa e ushqimit të mirë. Ushqimi i mirë ekziston. Mungonte një urë lidhëse mes fermerit lokal dhe konsumatorit urban, por edhe transparenca për të kuptuar se çfarë ndodh me ushqimin gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Kështu lindi Rrënjë: nga dëshira për ta bërë këtë lidhje më të drejtpërdrejtë dhe më të besueshme. Për të ditur jo vetëm çfarë po blejmë, por edhe kush qëndron pas produkteve, nga vijnë dhe si janë përpunuar.
Pse zgjodhët sistemin me porosi paraprake (pre-order) në vend të një dyqani me stok të gatshëm; a është kjo zgjedhje logjistike, financiare, apo pjesë e filozofisë “slow food” të vetë markës?
Preorder-i për ne lidhet shumë me filozofinë e “Rrënjë” dhe me konceptin e slow food. Ne besojmë te një mënyrë më e ngadaltë, më e vetëdijshme dhe më e kujdesshme e të prodhuarit dhe të konsumuarit të ushqimit. Në të njejtën kohë, duke qenë se Rrënjë është ende në fazat e para, pre-order-i është edhe një zgjedhje shumë praktike dhe e qëndrueshme për ne. Na lejon të prodhojmë në bazë të kërkesës reale, pa krijuar stok të panevojshëm, dhe të kuptojmë gradualisht se cilat produkte kërkohen më shumë nga komuniteti ynë.
Si i identifikoni dhe verifikoni prodhuesit artizanalë me të cilët punoni? Çfarë kriteresh duhet të plotësojë një fermer apo përpunues i vogël për t’u quajtur pjesë e “familjes” së Rrënjë’?
Kjo është një pjesë që për mua lidhet shumë edhe me eksperiencën time të mëparshme në Ministrinë e Bujqësisë, ku pata mundësinë të punoja dhe të njihja nga afër fermerë të vegjël dhe prodhues në zona të ndryshme rurale të Shqipërisë. Kjo eksperiencë më ka dhënë mundësinë të kuptoj jo vetëm çfarë prodhon çdo zonë, por edhe të njoh njerëzit që qëndrojnë pas këtyre produkteve: si e punojnë tokën, si e trajtojnë produktin pas vjeljes, si e përpunojnë, çfarë metodash përdorin dhe sa kujdes tregojnë në çdo hap të procesit.
Në fakt, gjatë asaj periudhe kam krijuar një lloj harte personale të produkteve dhe karakteristikave të zonave të ndryshme të Shqipërisë. Ka produkte që marrin një karakter të veçantë pikërisht nga territori ku prodhohen, dhe besoj se kjo është një vlerë që duhet ruajtur dhe bërë më e aksesueshme për konsumatorin urban.
Prandaj, kur kërkojmë një prodhues për Rrënjë, nuk shohim vetëm produktin final. Përpiqemi të kuptojmë gjithë historinë që qëndron pas tij.
Në Shqipëri certifikimi zyrtar “bio/organik” mbetet i kushtueshëm dhe i vështirë për prodhuesit e vegjël, si e menaxhoni besueshmërinë e etiketës “organike” pa mbështetje të plotë certifikimi, dhe si ia komunikoni këtë transparencë konsumatorit?
Nuk e përdorim termin “organik” nëse nuk kemi certifikimin që e mbështet atë. Aktualisht, produktet organike që perdorim në Rrënjë, janë kryesisht produkte të importuara, si: fruta të thata, fara të thata, maple syrup apo vaj kokosi.
Për produktet që marrim nga fermerët shqiptarë, preferojmë të tregojmë vlerën e tyre reale: origjinën, zonën, fermerin, mënyrën e prodhimit dhe karakterin natyral e tradicional të produktit.
Ndoshta me kalimin e kohës do arrijmë që të sigurojmë që një pjesë e produkteve tona në Shqipëri të certifikohen e të njihen si organike.
Produktet artizanale apo organike kanë çmim më të lartë se ato industriale, si e keni pozicionuar Rrënjë për t’u bërë e aksesueshme përtej një niche të vogël urbane, apo e keni pranuar me vetëdije që synoni një segment specifik?
Rrënjë ka në fokus zëvendësimin gradual të produkteve industriale me produkte natyrale, sezonale, lokale dhe të përpunuara në mënyrë artizanale, në mënyrë që këto të mos jenë thjesht një alternativë për një kategori të caktuar konsumatorësh, por të bëhen zgjedhja primare në mënyrën se si ushqehemi.
Sigurisht, sot këto produkte kanë një kosto më të lartë. Përpunimi artizanal, modeli slow food dhe sigurimi i produkteve nga zona të ndryshme të Shqipërisë kanë kostot e tyre, ndaj aktualisht është e natyrshme që Rrënjë t’i drejtohet më shumë një segmenti konsumatorësh që i kushton rëndësi cilësisë, origjinës dhe mënyrës së prodhimit.
Por besojmë se çmimi i ushqimit duhet parë edhe në raport me vlerën që ai na jep. Mund të paguajmë më shumë për disa produkte, por jemi të ndërgjegjshëm se po investojmë në ushqimin që konsumojmë çdo ditë: në cilësinë, vlerat ushqyese dhe mënyrën se si ushqehemi. Në një kohë kur shpesh shpenzojmë më shumë për gjëra që nuk na sjellin vlerë afatgjatë, për ne është e rëndësishme të ndryshojmë edhe mënyrën se si e perceptojmë koston e ushqimit të mirë.
Cilat janë hapat konkretë të radhës; hapje dyqani fizik, zgjerim në qytete të tjera, apo partneritete me restorante/hotele që ndjekin po të njëjtën filozofi “farm-to-table”?
Hapi i radhës për Rrënjë është të konsolidojmë fillimisht modelin që kemi ndërtuar, duke zgjeruar gamën e produkteve dhe rrjetin e fermerëve e prodhuesve me të cilët punojmë. Paralelisht, duam të krijojmë partneritete me restorante, hotele dhe biznese të tjera që ndajnë të njëjtën filozofi për ushqimin, veçanërisht ata që vlerësojnë produktin lokal dhe lidhjen direkte me prodhuesin.
Në një fazë të mëvonshme, një nga synimet tona është edhe krijimi i një hapësire fizike Rrënjë, megjithatë duam ta lëmë “Rrënjë” të rritet natyrshëm dhe të shohim çfarë forme dhe drejtimi do të marrë në mënyrë organike, duke u udhëhequr nga nevojat e konsumatorëve dhe nga mundësitë që do të krijohen gjatë rrugës.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto



