Kostoja e ndërtimit në Shqipëri stabilizohet, por rritja e pagave bëhet presioni kryesor për sektorin - Business Magazine Albania

Kostoja e ndërtimit në Shqipëri stabilizohet, por rritja e pagave bëhet presioni kryesor për sektorin

Indeksi i Kushtimit në Ndërtim për Banesa (IKN), tregues që INSTAT e përdor për të matur ecurinë e çmimeve në sektorin e ndërtimit, arriti në tremujorin e dytë të 2026-s vlerën 114,7 pikë, me bazë krahasimi tremujorin e katërt të 2021-s. Rritja vjetore ishte 1,1 për qind, e njëjtë me atë të regjistruar një vit më parë, në të njëjtin tremujor të 2025-s. Në terma tremujorë, indeksi u rrit me 0,3 për qind krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti.

Numrat, në pamje të parë modest, fshehin një ndryshim strukturor që meriton vëmendjen e bizneseve të ndërtimit, të bankave financuese dhe të investitorëve në pasuri të paluajtshme: kostoja e punës po rritet ndjeshëm më shpejt se çdo komponent tjetër, ndërsa çmimet e materialeve të ndërtimit po shkojnë në drejtim të kundërt.

Paga, motori kryesor i rritjes

Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, grupi “Shpenzime për paga” shënoi rritjen më të lartë mes gjashtë grupeve kryesore të kostos, me 4,3 për qind. E ndjek grupi “Kosto të tjera” me 3,0 për qind, “Shpenzime transporti” me 1,5 për qind dhe “Shpenzime makinerie” me 1,2 për qind. Ky ritëm rritjeje i kostos së punës, katërfish më i lartë se rritja mesatare e indeksit të përgjithshëm, sugjeron një treg pune ende të shtrënguar në ndërtim, ku ndërmarrjet kërkojnë të mbajnë ose të rekrutojnë fuqi punëtore në kushtet e emigrimit të vazhdueshëm dhe të konkurrencës për punëtorë të kualifikuar.

Edhe në krahasimin tremujor, i njëjti grup ka rritjen më të lartë, 1,1 për qind, e ndjekur nga “Kosto të tjera” me 0,8 për qind. Vazhdimësia e këtij trendi në dy tremujorë radhazi tregon se presioni mbi pagat në ndërtim nuk është një lëvizje e izoluar, por një prirje që po konsolidohet.

Lexo edhe: Ela Gjoni dhe historia e “Rrënjë”, një model biznesi për ushqim të besueshëm

Materialet e ndërtimit në rënie

Në kontrast të plotë, grupi “Shpenzime materiale” u ul me 0,6 për qind në terma vjetorë, i vetmi grup kryesor në rënie. Brenda tij, nëngrupi “Materiale ndërtimi”, pjesa më e madhe e shportës me 66 nga 71 zëra, ra me 0,9 për qind, ndërsa “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” ra me 0,7 për qind dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 0,1 për qind.

Një cikël që po mbyllet

Grafiku i INSTAT mbi ndryshimet vjetore të indeksit tregon një rrjedhë të qartë: rritja vjetore e kostove të ndërtimit ishte rreth 4,5 për qind në tremujorin e dytë të 2023-it dhe ra në mënyrë të vazhdueshme deri poshtë 1 për qind nga fillimi i 2025-ës, duke qëndruar që atëherë pranë këtij niveli. Faza e shtrenjtimit të shpejtë të ndërtimit, e nxitur në vitet e mëparshme nga çmimet e larta të materialeve dhe energjisë, duket e mbyllur. Ajo çka mbetet aktive është presioni mbi kostot e punës, i vetmi komponent që vijon të rritet me ritme dukshëm mbi mesataren e përgjithshme

Pra me një rritje vjetore prej vetëm 1,1 për qind, kostoja e ndërtimit në Shqipëri ka hyrë në një fazë stabiliteti relativ, por ky stabilitet mban brenda vetes një zhvendosje të qartë drejt kostos së punës si sfida kryesore afatshkurtër e sektorit.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #42 – Qershor 2026

DIASPORA, pasuria e re strategjike e Shqipërisë!

Ekziston një paradoks në zemër të historisë ekonomike shqiptare të tridhjetë viteve të fundit. Vendi humbi dhe vazhdon të humbasë një pjesë të konsiderueshme të kapitalit të tij njerëzor që shkon drejt Evropës Perëndimore apo edhe Amerikës së Veriut. Ky proces, i dokumentuar me shifra alarmante është një plagë e hapur sociale e vendit dhe jo vetëm. Çdo vit Shqipëria dhe Kosova humbnin mjekë, inxhinierë, sipërmarrës etj. Fitonin: remitanca.

Por kjo llogaritje gjithmonë ka qenë e paplotë. Dhe tani, me gjeneratën e parë të diasporës shqiptare që ka arritur maturinë profesionale dhe sipërmarrëse, po bëhet e qartë se sa e paplotë ka qenë në të vërtetë.

Krenar Komoni nuk e ndërtoi Tive-n, platformën teknologjike me vlerësim mbi gjysmë miliardi dollarë sepse sistemi e favorizoi. Përkundrazi, ai ia doli duke mbartur me vete kapitalin më të rëndësishëm: aftësinë për të parë mundësi aty ku të tjerët shohin boshllëqe. E njëjta histori përsëritet te Arber Sejdiji, sipërmarrësi nga Kosova që nga Zyrihu kontribuon në transformimin e retail-it global. Po ashtu, Eva Gjoni, Brendon Ahmeti i Synaps etj…Këta nuk janë përjashtime. Ata janë sinjalet e para të një fenomeni më të madh: kapitali shqiptar po krijon vlerë …

See more
Follow us
0