Po mendoni të ndryshoni karrierë? Hoda Kotb thotë se duhet t’i... - Business Magazine Albania

Po mendoni të ndryshoni karrierë? Hoda Kotb thotë se duhet t’i bëni vetes këtë pyetje

Të ndryshosh karrierë në moshën 30 apo 40-vjeçare mund të duket e vështirë. Po në moshën 60-vjeçare? Hoda Kotb e bëri pikërisht këtë.

Pas 26 vitesh në NBC, gazetarja dhe moderatorja e njohur u largua nga emisioni “TODAY” në janar 2025. Vetëm disa muaj më vonë, në maj, ajo hyri në një industri krejtësisht të re, duke themeluar kompaninë e saj të wellness, Joy 101. Në moshën 60-vjeçare, Kotb u bë CEO për herë të parë.

Lexo gjithashtu: Pse njerëzit më të suksesshëm shpesh veshin të njëjtat rroba?

Dhe pikërisht fakti që ky hap i dukej pothuajse i pamundur ishte një nga arsyet pse vendosi ta provonte.

Në një intervistë në “The Mel Robbins Podcast”, të cituar nga CNBC Make It, Kotb thotë se pavarësisht nëse je 20, 40, 60 apo 80 vjeç, ekziston një pyetje që mund të të ndihmojë të kuptosh nëse ka ardhur momenti për një ndryshim profesional:

“A po më jep kjo punë atë që mendoj se meritoj?”

Kur arrin majën, por kupton se dëshiron diçka tjetër

Në rastin e Kotb, vendimi nuk erdhi sepse karriera e saj po shkonte keq. Përkundrazi. Gjatë festimit të ditëlindjes së saj të 60-të në transmetim, ajo kuptoi se profesionalisht ndodhej ndoshta në pikën më të lartë të karrierës së saj televizive.

“Vazhdoja të mendoja: Kjo është maja e valës. Mund ta ndieja. Kjo është më e mira që mund të bëhet”, kujton ajo.

Dhe pikërisht aty lindi pyetja: Çfarë vjen më pas? Për dikë tjetër, ky moment mund të vijë në një mënyrë shumë më pak pozitive. Mund të punoni prej vitesh në një kompani pa marrë feedback-un që prisni. Mund të ndiheni sikur nuk po mësoni më. Mund të mos shihni mundësi reale për promovim. Ose thjesht mund të keni arritur në një pikë ku puna që dikur ju motivonte nuk ju jep më të njëjtën ndjesi. Sipas Kotb, pikërisht në këto momente duhet të ndaloni dhe të bëni një analizë të sinqertë të karrierës.

Çfarë mendoni se meritoni nga puna juaj?

Pyetja nuk duhet të lidhet me atë që ka dikush tjetër. Kotb paralajmëron që ky reflektim të mos vijë nga zilia apo nga FOMO, frika se po humbisni diçka vetëm sepse shihni njerëz të tjerë duke ndryshuar punë, duke u promovuar apo duke hapur biznese. Pyetja duhet të jetë personale.

Çfarë dëshironi ju nga faza tjetër e jetës profesionale? Më shumë përgjegjësi? Më shumë të ardhura? Më shumë kohë? Një rol drejtues? Mundësinë për të mësuar? Apo ndoshta lirinë për të ndërtuar diçka tuajën Dhe përgjigjja nuk duhet domosdoshmërisht t’ju çojë drejt dorëheqjes. Ndoshta ajo që ju duhet është të kërkoni një rritje page. Ndoshta një promovim. Një rol të ri brenda së njëjtës kompani. Ose një projekt që ju sfidon përsëri.

Eksperienca e saj, sipas saj, është dëshmi se ndryshimi mund të ndodhë në çdo moment të jetës.

“Gjërat që mendonit se ishin të pamundura, nuk janë të pamundura.”

 Karriera nuk ishte arsyeja e vetme

Vendimi i Kotb për t’u larguar nga “TODAY” kishte edhe një dimension personal. Ajo kishte treguar më parë se dëshironte të kalonte më shumë kohë me familjen. Rutina e saj në televizion e detyronte të zgjohej çdo ditë rreth orës 3:15 të mëngjesit për të mbërritur në kohë në punë. Pas dekadash në këtë ritëm, prioritetet kishin filluar të ndryshonin. Ky është një tjetër element i rëndësishëm në çdo vendim karriere: ajo që ishte puna ideale për ju dhjetë vite më parë nuk është domosdoshmërisht puna ideale për jetën që dëshironi sot.

Nga gazetare në CEO: “Nuk e dija sa shumë role duhet të luash”

Ndryshimi nuk do të thotë se gjithçka bëhet më e lehtë. Pasi ndërtoi Joy 101, Kotb zbuloi një realitet të ri: sipërmarrja. “Të jesh sipërmarrës është e vështirë”, ka thënë ajo për Variety. “Nuk e kuptoja se sa shumë role duhet të mbash mbi supe si sipërmarrës… Po mësoj si të jem shefe.” Pas dekadash eksperiencë në një prej organizatave më të mëdha mediatike në SHBA, ajo u gjend sërish në pozicionin e fillestares. Dhe ndoshta këtu qëndron një nga mësimet më interesante të historisë së saj.

Eksperienca nuk do të thotë që duhet të dini gjithçka. Ndonjëherë ajo ju jep sigurinë për të pranuar se duhet të filloni përsëri të mësoni.

Mos lini punën nesër. Filloni me 30 minuta në ditë

Kotb nuk rekomandon vendime impulsive. Nëse mendoni se dëshironi të ndryshoni karrierë, nuk keni pse të jepni dorëheqjen menjëherë. Në vend të kësaj, ajo propozon një metodë shumë më praktike: 30 minuta në ditë. Kaloni çdo ditë gjysmë ore duke bërë diçka që ju afron me hapin tjetër. Mund të përditësoni CV-në. Të punoni mbi një plan biznesi. Të studioni një industri të re. Të mësoni një aftësi. Të krijoni kontakte. Të zhvilloni idenë e një biznesi.

Pas një muaji, 30 minuta në ditë bëhen rreth 900 minuta pune konkrete drejt një drejtimi të ri. Dhe ndërkohë, vazhdoni të keni pagën, sigurimet dhe stabilitetin e punës aktuale. Kotb e quan këtë qasje “baby steps  toward the jump”, hapa të vegjël drejt kërcimit.

“Ne mendojmë ndonjëherë: ‘Do të vrapoj dhe do të hidhem nga shkëmbi’. Mos e bëni këtë. Nuk jemi budallenj. Na duhen pagat. Na duhen sigurimet. Na duhen këto gjëra. Por në të njëjtën kohë mund të eksplorojmë mundësitë.”

Ndoshta nuk ju duhet një punë e re. Ju duhet një përgjigje e re

Historia e Hoda Kotb nuk është thjesht historia e një personazhi televiziv që vendosi të bëhej sipërmarrëse në moshën 60-vjeçare. Është një kujtesë se karriera nuk është domosdoshmërisht një vijë e drejtë. Mund të arrini sukses në një fushë dhe përsëri të dëshironi të filloni diçka tjetër.Mund të jeni në një punë të mirë dhe përsëri të kuptoni se ajo nuk përputhet më me jetën që dëshironi. Dhe nuk është e nevojshme që ndryshimi të ndodhë menjëherë. Mund të fillojë me 30 minuta në ditë.

Por përpara se të filloni të mendoni për CV-në, biznesin e ri apo dorëheqjen, Kotb sugjeron të filloni me një pyetje shumë më personale:

“A po më jep puna që kam sot atë që mendoj se meritoj?” Përgjigjja mund të mos ju thotë menjëherë se çfarë duhet të bëni. Por mund t’ju tregojë nëse ka ardhur koha të filloni të kërkoni diçka tjetër.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #42 – Qershor 2026

DIASPORA, pasuria e re strategjike e Shqipërisë!

Ekziston një paradoks në zemër të historisë ekonomike shqiptare të tridhjetë viteve të fundit. Vendi humbi dhe vazhdon të humbasë një pjesë të konsiderueshme të kapitalit të tij njerëzor që shkon drejt Evropës Perëndimore apo edhe Amerikës së Veriut. Ky proces, i dokumentuar me shifra alarmante është një plagë e hapur sociale e vendit dhe jo vetëm. Çdo vit Shqipëria dhe Kosova humbnin mjekë, inxhinierë, sipërmarrës etj. Fitonin: remitanca.

Por kjo llogaritje gjithmonë ka qenë e paplotë. Dhe tani, me gjeneratën e parë të diasporës shqiptare që ka arritur maturinë profesionale dhe sipërmarrëse, po bëhet e qartë se sa e paplotë ka qenë në të vërtetë.

Krenar Komoni nuk e ndërtoi Tive-n, platformën teknologjike me vlerësim mbi gjysmë miliardi dollarë sepse sistemi e favorizoi. Përkundrazi, ai ia doli duke mbartur me vete kapitalin më të rëndësishëm: aftësinë për të parë mundësi aty ku të tjerët shohin boshllëqe. E njëjta histori përsëritet te Arber Sejdiji, sipërmarrësi nga Kosova që nga Zyrihu kontribuon në transformimin e retail-it global. Po ashtu, Eva Gjoni, Brendon Ahmeti i Synaps etj…Këta nuk janë përjashtime. Ata janë sinjalet e para të një fenomeni më të madh: kapitali shqiptar po krijon vlerë …

See more
Follow us
0