Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” mbyllen sot në Itali, duke përfunduar një edicion pozitiv për sportistët shqiptarë dhe kosovarë. Shqipëria largohet nga Taranto me 6 medalje, ndërsa Kosova ka siguruar 9 medalje dhe në ceremoninë përmbyllëse do të marrë edhe flamurin e Lojërave Mesdhetare, për të nisur zyrtarisht rrugëtimin drejt organizimit të edicionit të ardhshëm, “Prishtina 2030”.
Për Shqipërinë, bilanci i këtij edicioni është 2 medalje ari, 1 argjendi dhe 3 bronzi, të siguruara në mundje dhe peshëngritje. Në mundjen e lirë, Islam Dudaev u shpall kampion i Mesdheut duke fituar medaljen e artë, ndërsa Zelimkhan Abakarov siguroi medaljen e argjendtë. Një tjetër rezultat erdhi nga Ardit Zeneli, i cili fitoi medaljen e bronztë në mundjen klasike. Një paraqitje të veçantë bëri edhe Briken Calja në peshëngritje. Sportisti shqiptar fitoi medaljen e artë në stilin e shkëputjes në peshën 75 kg dhe medaljen e bronztë në shtytje. Calja e shoqëroi suksesin me thyerjen e katër rekordeve të Mesdheut. Në podium u ngjit gjithashtu peshëngritësja Enkileda Carja, e cila fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri në 69 kg. Me gjashtë medalje, Shqipëria përmirëson rezultatin e arritur në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, ku delegacioni kuqezi kishte fituar katër medalje: dy ari, një argjendi dhe një bronzi.

Kosova mbyll Taranto 2026 me 9 medalje
Një bilanc edhe më të pasur medaljesh regjistroi Kosova. Sportistët kosovarë kanë siguruar 9 medalje: 2 ari, 3 argjendi dhe 4 bronzi. Dy medaljet e arta erdhën nga Donjeta Sadiku në boks dhe Islam Selmani në karate. Xhudoja, një prej sporteve që prej vitesh i ka sjellë Kosovës sukses në arenën ndërkombëtare, kontribuoi sërish ndjeshëm në bilancin e medaljeve. Laura Fazliu fitoi medaljen e argjendtë, ndërsa Fatjona Kasapi, Flaka Loxha, Shpat Zekaj dhe Akil Gjakova siguruan medalje të bronzta. Në peshëngritje, Kianoush Rostami i shtoi Kosovës edhe dy medalje të argjendta, një në stilin e shkëputjes dhe një në shtytje. Në ditën e fundit të Lojërave, Kosova përfaqësohet edhe nga atletja Gresa Bakrraqi, e cila garon në gjysmëmaratonën 21 kilometra.
Nga Taranto 2026 te Prishtina 2030
Për Kosovën, ceremonia e mbylljes së këtij edicioni ka një domethënie që shkon përtej rezultateve sportive. Gjatë ceremonisë përmbyllëse të “Taranto 2026”, që zhvillohet mbrëmjen e sotme, Kosova do të marrë zyrtarisht flamurin e Lojërave Mesdhetare, pasi edicioni i ardhshëm, në vitin 2030, do të organizohet në Kosovë. Dorëzimi i flamurit shënon simbolikisht kalimin e stafetës nga Taranto te “Prishtina 2030”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme sportive ndërkombëtare që do të organizohen ndonjëherë në Kosovë. Kështu, Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” mbyllen me një bilanc pozitiv për të dyja delegacionet shqiptare: 15 medalje në total për Shqipërinë dhe Kosovën, prej të cilave 4 të arta, 4 të argjendta dhe 7 të bronzta. Ndërsa sportistët largohen nga Taranto me medaljet dhe rezultatet e tyre, vëmendja e rajonit fillon tashmë të zhvendoset drejt Kosovës. Me marrjen e flamurit në ceremoninë e sotme, nis zyrtarisht numërimi mbrapsht për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto