Politike
Një durrsake e respektuar në krye të Shëndetësisë. Klodiana Spahiu propozohet ministre
3 Shtator, 2026 | 5:24 pm

Një emër i njohur dhe i respektuar në Durrës pritet të marrë drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Klodiana Spahiu është propozuar për postin e ministres së Shëndetësisë, duke zëvendësuar Evis Salën.
Për durrsakët, Spahiu nuk është e njohur vetëm si politikane. Ajo gëzon respekt edhe për karrierën e saj si mjeke kardiologe, profesion që e ka ushtruar për vite me radhë në qytetin e Durrësit, përpara se të angazhohej në politikë.
E diplomuar për Mjekësi të Përgjithshme dhe e specializuar në kardiologji, Spahiu ka kryer gjithashtu specializime në Itali në fushën e kardiologjisë joinvazive dhe invazive. Në vitet 2003-2009 ajo ka punuar si mjeke kardiologe dhe në repartin e patologjisë në Spitalin e Durrësit, institucion të cilin më pas edhe e ka drejtuar.
Puna si mjeke kardiologe është një pjesë e rëndësishme e profilit të saj në Durrës, ku njihet prej vitesh jo vetëm për angazhimin publik dhe politik, por edhe për profesionin e saj në shërbim të pacientëve.
Spahiu mban titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore” dhe ka eksperiencë edhe në fushën akademike.
Prej vitit 2009, Klodiana Spahiu është pjesë e Kuvendit të Shqipërisë si përfaqësuese e Partisë Socialiste, ndërsa gjatë karrierës së saj parlamentare ka mbajtur edhe postin e nënkryetares së Kuvendit.
Propozimi i saj sjell kështu në krye të Shëndetësisë një profesioniste që e njeh sektorin edhe nga brenda, përmes eksperiencës së drejtpërdrejtë si mjeke.
Spahiu propozohet për të zëvendësuar Evis Salën, e cila dha dorëheqjen nga posti i ministres së Shëndetësisë.
















































