Kryefjala Logo

Zbulim nën shkretëtirën e Egjiptit, fosilet tregojnë çfarë fshihej aty 70 milionë vite më parë

1 Shtator, 2026 | 8:54 am

Një nga zonat më të thata të planetit ka qenë dikur e mbuluar nga një det i ngrohtë tropikal dhe e mbushur me jetë. Dëshmi të reja të kësaj të kaluare janë zbuluar nën shkretëtirën e Egjiptit, ku studiuesit kanë gjetur fosile peshkaqenësh që datojnë më shumë se 70 milionë vite më parë.

Zbulimi është bërë në pllajën Abu-Tartur, në Shkretëtirën Perëndimore të Egjiptit, rreth 640 kilometra në jugperëndim të Kajros. Studiuesit kanë identifikuar 14 dhëmbë të fosilizuar që u përkisnin pesë llojeve tashmë të zhdukura të peshkaqenëve.

Dhëmbët ndryshojnë ndjeshëm në formë dhe përmasa. Disa janë të hollë dhe të mprehtë, ndërsa të tjerë më të gjerë dhe të dhëmbëzuar, çka sugjeron se peshkaqenët ushqeheshin me lloje të ndryshme presh dhe zinin role të ndryshme në ekosistemin detar.

Së bashku me gjurmët e peshqve të vegjël, jovertebrorëve dhe zvarranikëve grabitqarë detarë, fosilet krijojnë një pamje krejt tjetër të Egjiptit të asaj kohe: në vend të rërës dhe thatësirës së sotme, aty shtrihej një ekosistem i pasur detar.

Bëhet fjalë për periudhën e Kretakut, kur klima e Tokës ishte shumë më e ngrohtë dhe pjesë të territorit të sotëm të Egjiptit mbuloheshin nga ujërat e detit të lashtë Tethys.

Dy prej llojeve të identifikuara nuk ishin dokumentuar më parë në Egjipt. Veçanërisht interesant është identifikimi i Scapanorhynchus cf. raphiodon, një peshkaqen i dallueshëm për dhëmbët e gjatë dhe të hollë. Sipas studiuesve, ekzemplari mund të përfaqësojë regjistrimin e parë të këtij taksoni në Afrikë dhe një nga dëshmitë më të vona të tij në të dhënat fosile.

Zbulimi ofron një tjetër dëshmi të transformimeve të jashtëzakonshme që ka pësuar planeti gjatë miliona viteve: aty ku sot shtrihet shkretëtira egjiptiane, dikur notonin peshkaqenë dhe grabitqarë të tjerë të mëdhenj detarë.

Të ngjashme