Showbiz
“Bota nuk ka më asnjë vlerë” Rezart Veleshnja prek me dedikimin për të atin
30 Gusht, 2026 | 2:49 pm

Rezart Veleshnja ka emocionuar ndjekësit me postimin e fundit kushtuar babait të tij, Fatmir Veleshnja, i cili u nda nga jeta në korrik të këtij viti, në moshën 71-vjeçare.
Aktori i humorit ka publikuar një fotografi të vjetër krah të atit, duke e shoqëruar me një mesazh që tregon se dhimbja e humbjes vazhdon të jetë e fortë.
“Të kthehesh në shtëpi dhe mos të gjesh njeriun që sakrifikoi çdo sekondë të jetës së tij për familjen, bota nuk ka më asnjë vlerë!”, shkruan Rezarti.
Lidhja e tij me të atin ka qenë veçanërisht e fortë, jo vetëm në aspektin familjar, por edhe në rrugëtimin artistik. Fatmir Veleshnja ishte regjisor dhe Rezarti ka treguar më herët se i ati ka pasur një rol të rëndësishëm në afrimin e tij me skenën dhe artin.
Kur njoftoi humbjen e babait në muajin korrik, aktori e përshkroi atë si “regjisorin që më mësoi çdo hap përpara dhe më pas më hipi në skenë”, duke shprehur mirënjohjen për gjithçka që kishte bërë për të dhe familjen.
“Na rrite, na edukove dhe na dhe çdo gjë me shumë sakrificë. Ke qenë shoku i vetëm më besnik se asnjë. Që do të përcillja kaq shpejt për në parajsë, nuk e kisha menduar kurrë! Do më marrë malli për çdo ditë baba! Të dua ba!”, shkruante ai pas ndarjes së tij nga jeta.

Fatmir Veleshnja u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë, ndërsa ceremonia mortore u zhvillua në varrezat e Tufinës.
Postimi i fundit i Rezartit tregon edhe një herë boshllëkun që humbja e të atit ka lënë në jetën e tij, ndërsa fotografia e tyre së bashku është shoqëruar me një prej dedikimeve më të ndjera që aktori ka bërë për të.












































