Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka dhënë dorëheqjen nga detyra, duke i dhënë fund një mandati relativisht të shkurtër në krye të këtij dikasteri.
Sipas informacioneve të deritanishme, Sala e ka komunikuar vendimin e saj gjatë mbledhjes së qeverisë të zhvilluar këtë të mërkurë.
Dorëheqja e saj vjen pas një seri ngjarjesh tragjike që kanë tronditur opinionin publik ditët e fundit, duke nxjerrë në pah një realitet të ashpër të sistemit shëndetësor në Shqipëri. Humbja e jetës së një nëne 37-vjeçare shtatzënë nga Pogradeci, së bashku me foshnjën e saj, si dhe vdekja e dy punonjësve të shtetit në Vaun e Dejës, kanë ngritur pikëpyetje të forta mbi sigurinë e jetës dhe funksionimin e emergjencave mjekësore.
Megjithatë vlen të theksohet se dorëheqja e ministres Sala nuk duket të ketë ardhur për këto arsye. Mësohet se gjatë paraqitjes së vendimit, Sala ka bërë të ditur se synon të vijojë karrierën e saj akademike.
Kujtojmë se Evis Sala mori drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë në shtator të vitit 2025, kur u bë pjesë e kabinetit të mandatit të katërt të kryeministrit Edi Rama.
Në momentin e prezantimit të saj si pjesë e qeverisë, Rama vuri në pah profilin profesional dhe akademik ndërkombëtar të Salës, e cila vinte në ekzekutiv pas një karriere në institucione mjekësore dhe universitare jashtë Shqipërisë. Edhe pse erdhi me shumë bujë, gjendja e sistemit shëndetësorë në Shqipëri nuk ndryshoi aspak dhe vijon të jetë në kaos.
Në aspektin politik dorëheqja e ministres Sala, vjen në një periudhë të ngarkuar politike për mazhorancën, pas protestave dhe përplasjeve politike brenda mazhorancës.
Prej kohësh është folur se Rama mund të bëjë ndryshime në kabinetin qeveritar.
Në një reagim të publikuar pas njoftimit për largimin e saj, Sala bën me dije se sot ka marrë pjesë për herë të fundit në mbledhjen e kabinetit qeveritar. Ajo sqaron se largimi lidhet me pranimin e disa angazhimeve të rëndësishme ndërkombëtare në fushat e saj të ekspertizës, mes tyre onkologjia, inteligjenca artificiale dhe inovacioni. Sala ka falënderuar kryeministrin Rama, punonjësit e sistemit shëndetësor dhe qytetarët shqiptarë, ndërsa thekson se angazhimi i saj për Shqipërinë do të vijojë edhe pas largimit nga posti ministror.
“Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës: onkologji – inteligjencë artificiale – inovacion.
Një vit më parë mora përsipër me përgjegjësi të madhe detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, një fushë plot sfida e vështirësi.
I jam mirënjohëse Kryeministrit Edi Rama për besimin dhe mbështetjen, si dhe çdo mjeku, infermieri, profesionisti dhe punonjësi të sistemit të shëndetësisë e mirëqenies sociale që punoi çdo ditë për ta bërë sistemin më të mirë.
Një falenderim të veçantë për çdo qytetar shqiptar që më shkroi, sugjeroi apo kërkoi më shumë prej nesh.
Në këtë vit kemi bërë hapa të rëndësishëm në shëndetësi. Shumë prej tyre janë të dukshëm sot, të tjerë sapo kanë nisur.
Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post. Ai është pjesë e asaj që jam dhe do të vazhdojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit tim profesional ndërkombëtar.
Sepse detyrat kanë një fillim dhe një fund.
Por, përgjegjësia dhe lidhja me vendin tënd nuk kanë kufij!”










