Maria Consuelo Cordoba nga Kolumbia, e cila pësoi lëndime të rënda dhe iu nënshtrua më shumë se 80 operacioneve pas një sulmi me acid, ka marrë miratimin për eutanazi.
Cordoba u sulmua në vitin 2000, kur burri i saj i atëhershëm i hodhi acid në fytyrë, duke e lënë të shpërfytyruar rëndë. Sot, ajo është 58 vjeçe dhe pasojat e sulmit ende e bëjnë jetën e saj të përditshme dukshëm më të vështirë.
Siç tha, ajo u zhvendos në Bogota me burrin e saj të atëhershëm në kërkim të punës. Pasi ajo refuzoi të kthehej me të në qytetin e tyre të lindjes, Çoko, ai e fshehu acidin në një shishe pije alkoolike, sipas saj.
“Kur hapa derën, ai më hodhi acid. Nuk e dija që ishte acid sepse ai e mbante në një shishe alkooli. Mendova se po pinte”, tha Cordoba për televizionin kolumbian.
Pas sulmit, siç deklaroi, ajo ndjeu një ndjesi të fortë djegieje dhe u përpoq të lante fytyrën me ujë. Ndërkohë, burri iku me vrap.
Pasojat e sulmit lanë efekte afatgjata. Sot, Cordoba përdor dy tuba plastikë në hundë që të mund të marrë frymë, ndërsa vetëm një hapje e vogël i mbetet nga goja. Për vite me radhë, ajo ka luftuar për të ngrënë, nuk është në gjendje të punojë dhe ende pret operacione të mëtejshme rindërtuese.
Pas 25 vitesh vuajtjesh, ajo mori miratimin për eutanazi: burri ia shkatërroi fytyrën me acid
Cordoba pati mundësinë të fliste me Papa Françeskun gjatë vizitës së tij në Kolumbi në vitin 2017. Ajo i tregoi atij për gjendjen e saj dhe pranoi se po mendonte për eutanazinë.
Sipas saj, Papa Françesku u përpoq ta inkurajonte të vazhdonte të jetonte, duke i thënë se Kolumbia do ta ndihmonte të kryente operacionet që i nevojiteshin.
“Por e dini çfarë? Askush nuk më ndihmoi. Tani jam edhe më keq”, tha Cordoba.
Organizata shëndetësore Capital Salud konfirmoi se Cordoba që atëherë kishte marrë miratimin për eutanazi.
“Maria Consuelo do të vazhdojë të mbështetet me respekt, humanizëm dhe dinjitet. Ne do të jemi në dispozicion për t’iu përgjigjur të gjitha nevojave të saj shëndetësore”, thanë ata.
Çështja ka rihapur çështjen e eutanazisë dhe të drejtën e personave të sëmurë terminal për të zgjedhur fundin e jetës. Kolumbia është ndër vendet ku eutanazia lejohet vetwm nw kushte të caktuara. /tesheshi.com/










