Shqipëria duket sikur po jeton disa realitete paralele, të cilat megjithatë bashkohen në një pikë të vetme: askush nuk është aty ku duhet të jetë dhe askush nuk po bën atë që duhet të bëjë.
Në Mirditë u vra dje duke shkuar në punë 65-vjeçari Viktor Bardhi, një tjetër hallkë në një zinxhir të gjatë gjakmarrjeje dhe hakmarrjeje mes familjeve që duket se kanë marrë përsipër ta administrojnë vetë drejtësinë.
Ndërkohë në Vlorë, në mes të një qyteti të mbipopulluar nga turistët, një konflikt mes njerëzish me pasuri dhe biznese të mëdha përfundoi në dhunë, të shtëna me armë dhe të plagosur.
Dhe nuk po flasim për njerëz të dëshpëruar që nuk kanë ku të përplasin kokën, por për biznesmenë që zotërojnë kompani dhe pasuri të konsiderueshme. Edhe ata, kur vjen puna për të zgjidhur hesapet, duket se i besojnë më shumë forcës sesa ligjit.
Kjo është ndoshta tabloja më domethënëse e Shqipërisë së vitit 2026. Vetëgjyqësia nuk është më një plagë që kufizohet në zonat e thella të Veriut apo në familje të mbërthyera nga kanuni dhe konfliktet e trashëguara. Ajo shtrihet nga fshatrat e Mirditës deri në rivierën e Vlorës, nga njerëzit e zakonshëm deri te miliarderët.
Kur edhe ata që kanë para, avokatë, ndikim dhe çdo mundësi për të ndjekur rrugën ligjore zgjedhin armën ose dhunën, problemi nuk është më thjesht kriminaliteti por besimi i humbur te shteti dhe te aftësia e tij për të garantuar drejtësi.
Dhe fiks në këtë moment, drejtësia shqiptare është e zënë me problemet e saj. Përfaqësuesit më të lartë të sistemit janë futur në një përplasje të hapur me qeverinë për pagat. Kërkohet zbatimi i vendimeve kushtetuese dhe ruajtja e pavarësisë financiare të gjyqësorit, çështje që padyshim kanë rëndësi institucionale.
Por për qytetarin që sheh gjyqtarë e prokurorë me paga shumë herë më të larta se mesatarja e administratës dhe sektorit privat, debati tingëllon gjithnjë e më i shkëputur nga realiteti.
Sikur të mos mjaftonte kjo, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, institucioni që duhet të përzgjedhë kreun e ardhshëm të organit të akuzës, është kthyer në një arenë konfliktesh personale.
Anëtarët kërkojnë përjashtimin e njëri-tjetrit, shkëmbejnë akuza për mungesë formimi dhe nuk arrijnë as të sigurojnë kuorumin për të ecur përpara. Gara për Prokurorin e Përgjithshëm mbetet peng, ndërsa ata që duhet të administrojnë procesin nuk po arrijnë të administrojnë as marrëdhëniet mes tyre.
Dhe mbi këtë tablo vjen Tirana e politikës, ku kryeministri Edi Rama vazhdon ritualin e njohur të vetëlavdërimit, qortimit të vartësve dhe krijimit të figurës së udhëheqësit që, pavarësisht plagëve, vazhdon të qëndrojë në këmbë.
Ai rreket me dëshpërim të na shpërfaqet si një lloj Gjergj Elez Alia i politikës shqiptare, që lufton vazhdimisht me dragonjtë, ku këta të fundit janë pothuajse gjithmonë të tjerët. Por problemi i Shqipërisë nuk është se Rama ka shumë “plagë” të natyrës morale dhe ndoshta edhe penale.
Problemi është se vendi ka shumë plagë sociale dhe askush nuk duket i gatshëm të merret seriozisht me to. Në një vend që aspiron të hyjë në Bashkimin Evropian, vrasjet për hakmarrje vazhdojnë, konfliktet private zgjidhen me armë, institucionet e drejtësisë përçahen në luftëra të brendshme dhe politika vazhdon të jetojë në universin e saj të propagandës.
Ky është kontrasti që nuk mund të fshihet me konferenca, samite apo premtime për integrimin. Standardet evropiane nuk maten vetëm me kapitujt që hapen në Bruksel, por me mënyrën se si funksionon shteti në Ndërfushaz, Radhimë por dhe në zyrat e institucioneve të drejtësisë në Tiranë.
Ndoshta për këtë arsye edhe vetë Rama ka nisur të flasë për mundësinë e një anëtarësimi gradual apo të pjesshëm. Sepse edhe qeveria duket se e di se Shqipëria është ende larg standardeve që kërkon anëtarësimi i plotë.
Dhe kjo distancë nuk matet me kilometra. Matet me njerëz që vrasin për hesapet e vjetra, me biznesmenë që zgjidhin borxhet me armë, me drejtësinë që zihet për paga e diploma dhe me një qeveri që vazhdon t’i tregojë pasqyrës se sa mirë po shkon gjithçka.
Në këtë Shqipëri, problemi më i madh është se askush nuk është realisht në vendin e vet. Qytetari merr rolin e gjykatësit, biznesmeni atë të policit, drejtësia zhytet në konfliktet e veta, ndërsa politika sillet si spektatore e realitetit që vetë ka ndihmuar të ndërtohet.
Dhe derisa secili të fillojë të bëjë detyrën për të cilën paguhet dhe mban përgjegjësi, Evropa do të vazhdojë të na duket shumë më larg sesa kilometra që ndajnë Tiranën nga Brukseli. \tesheshi.com\










