Shaban Qosja ka qenë një personazh në Tiranë që persona të ndryshëm e ngacmonin, duke e thirrur nëpërmjet një epiteti. Shabani u ankua dhe ata persona që dikur e ngacmonin hoqën dorë nga frika. Mirëpo Shabanit ato ngacmime i ishin bërë aq të nevojshme sa kur dikush nga ata që e shanin dikur i kalonte pranë në mënyrë indiferente, ai i dilte përpara e i thoshte: “hë, pse nuk më shan sot, o Shabe o hunderr apo nuk ta mban. Naaa, rrup, sup lali”.
Prej kësaj mënyre të sjelluri, tironsit nxorrën shprehjen: “Të grricesh si Shaban Qosja”.
Por Shaban Qoset janë të shumtë sot.
Kanë ndryshuar vetëm skena dhe mjetet. Sot nuk i gjen më në rrugicat e Tiranës duke kërkuar dikë që t’i shajë. I gjen në rrjetet sociale, aty ku vëmendja është kthyer në një lloj monedhe dhe ku, për disa njerëz, të mos flitet për ty është më e padurueshme se të flitet keq.
Ata duan të jenë në qendër të vëmëndjes. Dhe kur nuk janë, bëjnë gjithçka për t’u kthyer atje nëpërmjet një deklaratë absurde, një konflikti të sajuar, një veprimi të pakuptimtë, një provokimi që nuk do t’i shkonte ndërmend një njeriu me logjikë normale. Mjafton që të prodhojë reagim. Sepse në ekonominë e medias sociale nuk ka shumë rëndësi nëse të duan apo të urrejnë. Rëndësi ka të flasin për ty.
Shpesh pas këtyre personazheve fshihet një histori e ngjashme. Kanë pasur dikur një periudhë kur vëmendja u vinte natyrshëm. Nëpërmjet një funksioni, një posti, një karriere, një suksesi, një rrethi shoqëror, një koniunkture të favorshme apo thjesht një momenti kur emri i tyre kishte një farë peshë. Dhe bashkë me të kanë provuar edhe benefitet e vëmendjes.
Pastaj koniunktura ndryshon.
Vëmendja pakësohet. Telefoni bie më rrallë. Emri përmendet më pak. Njerëzit fillojnë të merren me të tjerë. Dhe pikërisht këtu fillon problemi.
Sepse disa njerëz nuk dinë të jetojnë pa vëmendjen me të cilën janë mësuar.
Në vend që të pranojnë se një kapitull ka përfunduar dhe të ndërtojnë një tjetër, përpiqen me çdo kusht të rikthehen në qendër të skenës. Dhe kur nuk kanë më arsye për të qenë aty, shpikin arsye.
Këtu lind “Shaban Qosja” i kohëve moderne.
Ai nuk del më përpara kalimtarit për t’i thënë: “hë, pse nuk më shan sot?”. Hap telefonin, ndez kamerën dhe bën diçka që e di fare mirë se do të shkaktojë reagim.
Dhe pastaj pret komentet, sharjet, debatet. Pret portalet, kundërshtarët. Pret ata që do ta mbrojnë dhe ata që do ta sulmojnë.
Por objektivi ama është arritur: emri është kthyer përsëri në qarkullim.
Veçse ka një problem.
Për ta arritur këtë, ndonjëherë duhet paguar një çmim shumë i lartë dhe ky çmim lidhet me cënimin e dinjitetit.
Sepse ka një kufi përtej të cilit vëmendja nuk është më sukses, por thjesht një mënyrë për t’u bërë qesharak.
Ky është ndryshimi më i madh mes Shaban Qoses së dikurshëm dhe Shaban Qoseve të sotëm: i pari kërkonte ta shante dikush, të dytët janë gati të bëjnë gjithçka që dikush të flasë për ta.
Edhe kur ajo që thuhet nuk është aspak në favorin e tyre.
Në fund të fundit, të grricesh si Shaban Qosja dikur ishte një shprehje tiranase. Sot mund të jetë kthyer në një strategji të medias sociale.
Pasi disa janë aq të dëshpëruar për një minutë vëmendje, sa nuk pyesin më se “çfarë do të mendojnë për mua?” por “a do të flasin për mua?”
































