Home Approccio Italo Albanese Shqipëria, sektori i nautikes synon të bëhet një motor i ri për...

Shqipëria, sektori i nautikes synon të bëhet një motor i ri për turizmin dhe investimet

Në 16 – 18 tetor 2026 rikthehet në Marina Orikum Balkans Sea Fair. Pas debutimit në vitin 2025, Monica Pannozzo sheh përpara drejt edicionit të dytë dhe një projekti që synon ta shndërrojë sektorin e nautikes në një platformë zhvillimi për Shqipërinë dhe tregun ballkanik.

Perkthyer nga origjinali ne gazeten La Discussione, që është një gazetë italiane e themeluar në vitin 1953 nga Alcide De Gasperi dhe prej më shumë se 70 vitesh merret me çështje politike, sociale dhe ekonomike, me një orientim drejt analizës dhe debatit publik.

Nga Artur Nura

Sektori i nautikes në Shqipëri nuk është më vetëm një çështje që lidhet me detin dhe turizmin. Ai po hyn gradualisht në diskutimin ekonomik që shoqëron zhvillimin e bregdetit: infrastrukturë, shërbime, investime, punësim dhe aftësi për të tërhequr flukse të reja ndërkombëtare.

Kjo është edhe pikënisja e bisedës me Monica Pannozzo, drejtoreshën e Balkans Sea Fair, ose aktivitetit që nga data 16 deri më 18 tetor 2026 do të rikthehet në Marina Orikum, në Gjirin e Vlorës.

Pas debutimit në vitin 2025, aktiviteti po përgatitet për edicionin e dytë, i cili synon të forcojë dimensionin e tij ndërkombëtar dhe, mbi të gjitha, rolin si platformë takimi mes kompanive, operatorëve, investitorëve dhe profesionistëve.

Në këndvështrimin e Pannozzo-s, panairi përfaqëson megjithatë diçka më shumë se një aktivitet. Ai është pjesë e një procesi që synon mundësinë e ndërtimit në Shqipëri të një zinxhiri të sektorit të nautikes, të aftë për t’u lidhur me tregjet e huaja dhe për të gjeneruar efekte pozitive në ekonominë turistike.

Një panair i lindur rreth një tregu në ndërtim

Edicioni i parë i Balkans Sea Fair, i zhvilluar nga 9 deri më 12 maj 2025, shërbeu si prova e parë. Në Marina Orikum morën pjesë 54 ekspozues nga pesë vende.

Këto shifra i mundësuan panairit të përballej me një treg ende të ri dhe të verifikonte interesin e operatorëve ndaj një vendi që po përpiqet ta shndërrojë potencialin e tij detar në një sektor ekonomik të strukturuar.

Megjithatë, elementi më interesant është filozofia mbi të cilën Pannozzo ka ndërtuar projektin. Panairi nuk është konceptuar thjesht si një hapësirë ku ekspozohen varka dhe produkte, por si një vend ku krijohen marrëdhënie dhe lidhje të reja.

Në sektorin e nautikes, në fund të fundit, varka përfaqëson vetëm një pjesë të zinxhirit ekonomik. Rreth lundrimit zhvillohen shërbimet portuale, mirëmbajtja, ndërtimi dhe riparimi i mjeteve lundruese, komponentët, charter-i, teknologjia, asistenca, gastronomia, mikpritja dhe trajnimi profesional.

Është pikërisht ky zinxhir i zgjeruar që mund ta shndërrojë nautiken në një motor ekonomik me ndikim më të gjerë.

Deti si infrastrukturë ekonomike

Qasja e Pannozzo-s lidhet me transformimin që po përjeton turizmi shqiptar. Rritja e flukseve ndërkombëtare ka forcuar peshën ekonomike të bregdetit, por njëkohësisht ka sjellë një nevojë të re: diversifikimin e ofertës dhe rritjen e vlerës së gjeneruar nga vizitorët.

Nautika mund të pozicionohet pikërisht në këtë hapësirë. Një mjet lundrues që hyn në një marinë gjeneron një kërkesë që shkon shumë përtej ankorimit të thjeshtë. Nevojiten mirëmbajtje, furnizime, asistencë teknike, restorante, akomodim, transport, ekskursione dhe shërbime të specializuara.

Porti turistik shndërrohet kështu në një infrastrukturë ekonomike të aftë për të vënë në lëvizje një rrjet aktivitetesh në territor. Për Shqipërinë, sfida tani është ta shndërrojë avantazhin gjeografik — një bregdet që shtrihet përgjatë Adriatikut dhe Jonit dhe që ndodhet pranë tregjeve kryesore të Evropës Jugore — në një sistem konkurrues portesh, shërbimesh dhe profesionistësh.

Pikërisht në këtë drejtim, biseda me Pannozzo-n e çon diskutimin përtej kufijve të vetë panairit.

Zgjedhja e Marina Orikum si vendi i zhvillimit të aktivitetit merr në këtë kuadër një rëndësi të veçantë. Struktura disponon 120 vende ankorimi dhe ndodhet në gjirin e Dukatit, në Gjirin e Vlorës, përgjatë bregdetit jugor të Shqipërisë. Një pozicion që i mundëson aktivitetit të zhvillohet drejtpërdrejt brenda një infrastrukture nautike dhe jo thjesht në një hapësirë tradicionale panairi.

Për Pannozzo-n, kjo lidhje e drejtpërdrejtë me detin është pjesë integrale e projektit.

Panairi mund të shndërrohet kështu në një vend ku të vëzhgohet konkretisht evoluimi i sektorit: nga mjetet lundruese te shërbimet, nga operatorët turistikë te profesionistët e mirëmbajtjes, nga kompanitë teknologjike te investitorët. Qëllimi është krijimi i lidhjeve që mund të vazhdojnë edhe pas përfundimit të panairit dhe aktiviteteve të tij.

Nga Shqipëria drejt Ballkanit

Fjala e dytë kyçe është ndërkombëtarizimi. Balkans Sea Fair lind me një orientim rajonal dhe synon të shfrytëzojë pozicionin e Shqipërisë si pikë lidhëse mes Mesdheut, Evropës Jugore dhe Ballkanit.

Ky pozicionim mund të jetë veçanërisht interesant për kompanitë italiane.

Afërsia gjeografike, së bashku me përvojën e gjatë italiane në ndërtimin e mjeteve lundruese, në prodhimin e komponentëve dhe në shërbimet nautike, krijon kushte të favorshme për një integrim më të madh mes dy zinxhirëve ekonomikë.

Për kompanitë italiane, tregu shqiptar mund të përfaqësojë një mundësi që duhet ndjekur në një fazë të rritjes së infrastrukturës dhe kërkesës turistike. Për kompanitë shqiptare, përballja me operatorë ndërkombëtarë mund të lehtësojë aksesin në ekspertizë, teknologji dhe modele organizative.

Matësi i vërtetë i suksesit të panairit do të jetë, pra, aftësia për t’i shndërruar takimet në marrëdhënie ekonomike të qëndrueshme…

Share: