Prokuroria ka njoftuar detaje rreth arrestimit të një punonjësi në Shërbimin për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë, për të cilin mediat raportuan se është shofer i Sekretarit të Përgjithshëm, Igor Janushev.
— Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke vepruar sipas kallëzimit penal të dorëzuar nga Njësia për Korrupsion pranë Byrosë për Siguri Publike, ka nxjerrë Urdhëresë për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një personi të punësuar në Shërbimin për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari ka kryer veprën penale — Marrja e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm, thonë nga Prokuroria.
Nga atje sqarojnë se arrestimi pason pas kallëzimit të një qytetari.
— Procedura është iniciuar pas kallëzimit të një qytetari prej të cilit i dyshuari, në periudhën prej 24 korrikut deri më 4 shtator 2026, ka kërkuar 1.500 euro për të shfrytëzuar ndikimin e tij të supozuar. I dyshuari, i cili ka punuar si shofer i një zyrtari të lartë qeveritar, i ka premtuar të dëmtuarit se do të ndërmjetësojë te personat zyrtarë në Qytetin e Shkupit lidhur me punësimin sipas shpalljes së publikuar për pranimin e zjarrfikësve.
Pas raportimit, organet kompetente, në koordinim me prokurorin e lëndës, kanë ndërmarrë veprime për siguruar dëshmi. Më 4 shtator 2026, i dyshuari është kapur gjatë dorëzim-pranimit të 500 eurove si pjesë e shpërblimit të kërkuar prej 1.500 eurosh, të cilat paraprakisht ishin të shënuara.
— Duke çmuar se ekzistojnë rrethana që tregojnë për rrezik ikjeje, mundësi që i dyshuari të ndikojë mbi dëshmitarët në procedurë, si dhe rrethana që arsyetojnë frikën se mund ta përsërisë veprën penale, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit. Gjyqtari i procedurës paraprake e ka pranuar propozimin e prokurorisë dhe me vendim i ka caktuar të dyshuarit masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, thonë nga Prokuroria.
Raportimi me kohë i korrupsionit dhe gatishmëria e qytetarëve për të bashkëpunuar me institucionet kompetente është jashtëzakonisht e rëndësishme, shtohet nga atje.
— Raportimi i kërkesës apo ofertës për ryshfet dhe ndikim të kundërligjshëm mundëson reagim me kohë, sigurinë e dëshmive dhe veprim efikas të organeve kompetente. Prokuroria Publike i inkurajon qytetarët t’i raportojnë raste të këtilla dhe të bashkëpunojnë me institucionet kompetente, duke mbetur e përkushtuar në veprimin e vendosur ndaj të gjitha njohurive për sjellje korruptive për të cilat ekzistojnë baza për ndërmarrjen e veprimeve prokuroriale, thonë nga Prokuroria.








