Burra të maskuar me të zeza paralizuan trafikun në Dover: Kërkojnë ndalim për migrantët me varka (VIDEO)

Qindra meshkuj të maskuar, të veshur me të zeza, bllokuan rrugët e Doverit të shtunën, duke protestuar kundër arritjes së migrantëve me varka të vogla përmes Kanalit të Mançit. Bllokada shkaktoi një trafik të rëndë rreth një prej porteve më të rëndësishme britanike për trafikun me traget.

Në videot e publikuara në rrjetet sociale shihen shumë burra me rroba të zeza dhe maska në fytyrë që bllokojnë rrugët dhe rrethrrotullimet pranë portit. Demonstruesit kërkonin ndalimin e arritjes së migrantëve me varka të vogla nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar.

Këshilltari lokal Chris Vinson tha se protesta dukej e koordinuar dhe se pjesëmarrësit kishin ardhur me furgonë të marrë me qira. Sipas tij, ata nuk kishin transparente apo posterë.

Për shkak të bllokadës, shumë njerëz mbetën të bllokuar në trafik, ndërsa disa punonjës të portit, pas mbarimit të turnit të natës, nuk mundën të largoheshin nga zona nga frika për sigurinë e tyre.

> “Nuk jam i informuar që të ketë pasur dhunë, por kur rruga ju bllokohet nga burra me veshje të zeza paramilitare dhe maska në fytyrë, kjo është jashtëzakonisht e frikshme”, tha Vinson.

Policia e Kentit njoftoi se është në dijeni të protestës dhe se oficerët e policisë janë në vendngjarje dhe po bisedojnë me demonstruesit.

Porti i Doverit njoftoi se incidenti ka prekur të gjitha rrugët drejt portit dhe prej tij, si dhe trafikun në qytet. Agjencia Kombëtare e Autostradave njoftonte për kolona rreth 6,4 kilometra të gjata në rrugët lokale, me vonesa deri në 45 minuta.

Trafiku me traget, megjithatë, nuk u ndërpre. Kompanitë P&O Ferries dhe DFDS u njoftuan pasagjerëve që për shkak të trafikut do të humbnin orarin e tyre se do të transferoheshin në udhëtimin tjetër të disponueshëm. Qasja në port u rivendos gradualisht gjatë paradites, pas së cilës trafiku filloi të normalizohej.

Protesta u dënua edhe politikisht. Deputeti i Partisë Laburiste për Dover dhe Deal, Mike Tapp, tha se ishte në kontakt me policinë dhe kritikoi demonstruesit për shkaktimin e kaos trafiku. Ai theksoi se, sipas të dhënave zyrtare, numri i arritjeve të migrantëve me varka të vogla është në rënie.

Sipas të dhënave të parlamentit britanik, në vitin deri në fund të qershorit 2025 me varka të vogla në Mbretërinë e Bashkuar kanë arritur rreth 33.000 njerëz, që përbën rreth 88 për qind të të gjitha arritjeve të regjistruara të paligjshme në vend.

Ministria britanike e Punëve të Brendshme dënoi sjelljen e demonstruesve dhe shqetësimin e trafikut, por njëkohësisht kujtoi se e drejta e protestës paqësore është një e drejtë themelore demokratike.

Doveri është lidhja kryesore britanike me traget me Francën dhe një nga pikat më të rëndësishme hyrëse në vend për trafikun e pasagjerëve dhe mallrave përmes Kanalit të Mançit.

VIDEO