Arrestohet edhe një serb i dyshuar për krime lufte në Zubin Potok

Prishtinë, 3 shtator 2026 – Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se një person, i dyshuar për krime lufte, është arrestuar dhe është dërguar në ndalim për 48 orë.

Në njoftim thuhet se i dyshuari, me inicialet R.K., është arrestuar në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për krime lufte të kryera në Zubin Potok. Ai dyshohet për veprën penale: “Krime lufte kundër popullatës civile”.

Prokuroria tha se brenda afatit ligjor do të kërkojë që atij t’I caktohet masa e paraburgimit.

Arrestimi i R.K. vjen pak më shumë se një muaj pas arrestimit të tre serbëve të tjerë nga komuna e Zubin Potokut, të dyshuar për krime lufte. Në fund të korrikut ishin arrestuar M.J. dhe M.B, ndërsa më 2 gusht ishte arrestuar J.R.

Të katër arrestimet janë kryer pas zbulimit të tri varrezave masive në komunën e Zubin Potokut, të cilat u gjetën mbetje mortore të së paku 23 personave, të cilat besohet se janë të 23 shqiptarëve, të cilët kanë qenë pjesë e grupit të njohur si “grupi i intelektualëve të Mitrovicës”, të zhdukur në këtë zonë më 24 prill 1999.

Mbetjet mortore të gjetura në tri varrezat masive në fshatrat Kalludër e Vogël dhe Jabukë të komunës së Zubin Potokut janë dërguar në Hagë për identifikim përmes ADN-së.

Prokuroria Speciale ka thënë se rasti i 23 personave të zhdukur është trajtuar qe shtatë vjet dhe provat e mbledhura deri tani çuan në gjurmimin e rastit.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa deri tani janë identifikuar 12.230 viktima të luftës.

Kosova kërkon vazhdimisht bashkëpunim e Serbisë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe qasje në arkivat e forcave të armatosura serbe që kanë operuar në Kosovë.

(r.m.)

Comment

*