Beograd, 3 shtator 2026 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka fgolur përsëri të enjten lidhur me epilogun e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë.
Vuçiq e ka cilësuar gjyqin ndaj Thaçit e të tjerëve si “mashtrim” dhe si “plan të mirëmenduar” të Perëndimit, qëllim i të cilit ka qenë, siç është shprehur, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
“Do të shohim nëse gjithë kjo ka qenë mashtrim dhe mendoj se këtë do ta shohim, sepse Perëndimi donte – dhe për këtë do të flas më hollësisht, jo sot, jo nesër, por të shtunën dhe të dielën – Perëndimi donte të na qetësonte dhe të thoshte: ‘Meqenëse Thaçi donte të arrinte dofarë marrëveshjesh, tani po e dërgojmë në burg dhe serbëve do t’u hedhim hi syve duke u thënë se ai [Thaçi] do të jetë përgjegjës për vrasjen e më shumë se 50 civilëve serbë – po flas për viktima serbe, ndërsa shifra e përgjithshme e të cilave është mbi njëqind – si dhe për disa nga krimet më të rënda”, ka thënë Vuçiq, transmeton Kossev.
Vuçiq ka thënë se, pas arrestimit të Thaçit, Perëndimi e ka sjellë në skenën politike të Kosovës për të zbatuar politikat e Perëndimit.
“Pastaj do të sjellim Kurtin, i cili do të zbatojë politikën tonë, gjegjësisht politikën e tyre, i cili do t’i përndjekë serbët në të gjitha mënyrat e mundshme, por do të duket ndryshe – si person që nuk ka qenë i përfshirë në konflikte lufte dhe në gjithëçka tjetër, në mënyrë që, përsa i përket imazhit të tij politik, mund ta shesin lehtësisht kudo në Perëndim, ndërkohë që ai do t’i kryejë punët e tyre më të pista brenda pesë vjetësh”, është shprehur Vuçiq.
Sipas tij, Perëndimi do ta shpallë Thaçin të pafajshëm për krimet e luftës me qëllim që të shtojë presionet ndaj serbëve në Kosovë, për të ushtruar presion ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën e pavarur.
“Tani do t’i japim aktgjykim shfajësues që ta kthejmë poshtë [në Kosovë] dhe t’i shtojmë më shumë tensionet ndaj serbëve dhe të shohim nëse mund të mbarojmë punë përfundimisht me këtë Serbië e pabindur, që Serbia ta njohë Kosovën e pavarur”, ka thënë Vuçiq.
Presidenti i Serbisë ka deklaruar disa herë gjatë ditëve të fundit se Thaçi dhe të tjerët do të lirohen nga aktakuza.
Këtë herë ai foli për gjyqin ndaj Thaçit e të tjerëve duke evituar të tregonte për përfshirjen e institucioneve shtetërore të Serbisë në ceremoninë e varrimit të gjeneralit serb Ratko Mlladiq, i cili ishte dënuar nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë me burgim të përjetshëm për gjenocidin ndaj boshnjakëve muslimanë në Srebrenicë dhe për krime të luftës e krime kundër njerëzimit në Bosnjë e Hercegovinë, gjatë luftës në këtë ish-republikë jugosllave.
(r.m.)