Tiranë/ Kontrolle të intensifikuara ndaj makinave luksoze, verifikohet burimi i pasurisë

Aktualitet | 4 orë më parë

Policia e Tiranës ka intensifikuar kontrollet ndaj automjeteve luksoze, me fokus verifikimin e origjinës së mjeteve dhe burimit të të ardhurave me të cilat janë blerë ato.

Strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale”, Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Policinë Rrugore, kanë kontrolluar dhjetëra automjete luksoze në kryeqytet.

Verifikimet janë kryer përmes një aparature të posaçme, e cila mundëson kontrollin e të dhënave identifikuese të automjeteve. Pas verifikimit në sistem, për mjetet e evidentuara janë kryer kontrolle të mëtejshme lidhur me pronësinë, origjinën, si dhe historikun e blerjes, shitjes dhe posedimit.

Në fokus të kontrolleve ka qenë edhe burimi i të ardhurave me të cilat janë blerë automjetet, me qëllim evidentimin e rasteve kur pasuria mund të jetë përfituar nga veprimtaria kriminale, si dhe identifikimin e mjeteve që mund të jenë objekt i trafikimit të paligjshëm.

Në përfundim të verifikimeve, materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë, për vijimin e hetimeve dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Policia e Tiranës njofton se kontrollet e përbashkëta dhe verifikimet ndaj automjeteve luksoze do të vijojnë, në funksion të evidentimit dhe goditjes së pasurive me origjinë kriminale, parandalimit të trafikimit të tyre dhe luftës kundër pastrimit të produkteve që rrjedhin nga veprimtaria kriminale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme