Gentian Zeka sjell 63 tablo në Durrës, ekspozita pasqyron stilin dhe rrugëtimin artistik të piktorit pogradecar

Kulturë | 5 orë më parë

Piktori pogradecar Gentian Zeka është prezantuar para artdashësve durrsakë me 63 tablo, të cilat janë bërë pjesë e ekspozitës së tij personale, të çelur në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia”. Edhe pse një pjesë e këtyre punimeve janë ekspozuar më herët në qytetin e lindjes së artistit, në Pogradec, të vendosura së bashku ato krijojnë një tërësi organike, që përcjell një rrugëtim të veçantë artistik.

“Janë punime që janë ndërtuar mbi bazën e cikleve. Disa janë nga dy, disa janë nga tre, ndërsa disa janë të vetme”, u shpreh piktori, Gentian Zeka.

Krijimtaria e Gentian Zekës është e pasur dhe shumëdimensionale. Përveç pikturës, artisti është angazhuar edhe në grafikë, vizatim, skulpturë, objekte artistike dhe vitrazh. Në 63 tablotë e ekspozuara në Durrës spikat stili i veçantë i artistit, përdorimi i teknikave të ndryshme në kanavacë, por edhe ndikimi i fortë i ikonografisë, e cila është shndërruar në një element të rëndësishëm të krijimtarisë së tij

“Unë e dua shumë atë periudhë të artit dhe mendoj se pjesa më e mirë e artit shqiptar është pikërisht kjo periudhë e artit mesjetar”, tha ai.

“Gentjani është një personazh arti i cilit ka evoluar shumë, ka kaluar nga një pikturë në tjetrën dhe do të thotë shumë”, tha artisti, Neli Naço.

Me 36 ekspozita individuale dhe 28 ekspozita në grup, si dhe fitues i Çmimit të Parë në konkursin mbarëkombëtar “Vangjush Mio” në vitin 2008, Gentian Zeka vijon të ndërtojë një univers të tijin artistik.

Gazetar: A. Kalemasi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme