Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 32 vatra zjarri në 24 orë, 11 ende aktive

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur situatën e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, ku janë raportuar 32 vatra zjarri. Prej tyre, 11 vatra vijojnë të jenë aktive, 5 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 16 janë shuar.
Për përballimin e situatës janë angazhuar në nivel kombëtar 735 forca vendore dhe 64 automjete zjarrfikëse. Në operacione kanë marrë pjesë edhe Forcat e Armatosura me 475 efektivë, 7 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe një avion Air Tractor. Për ditën e sotme është parashikuar angazhimi i 160 forcave ushtarake në zonat ku ndërhyrjet vijojnë.
Vëmendja kryesore është përqendruar në vatrat më problematike.
Në Malin e Dajtit, përveç strukturave bashkiake, janë angazhuar 77 forca ushtarake dhe një helikopter.
Në Bardhaj të Shkodrës, operacioni vijon me 5 automjete zjarrfikëse, shërbimin pyjor dhe strukturat e emergjencave civile. Forcat e Armatosura kanë kontribuar me një automjet zjarrfikës dhe një helikopter, ndërsa sot në terren janë shtuar 33 forca dhe një ambulancë.
Në Fier, operacioni është mbështetur nga 13 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 55 efektivë dhe 90 forca të tjera, ndërsa nga Forcat e Armatosura janë angazhuar 90 ushtarakë, një helikopter dhe një avion Air Tractor. Për ditën e sotme vijon mbështetja me 33 forca.
Ndërkohë, operacioni në Himarë është përmbyllur, pas shuarjes së zjarrit. Në ndërhyrje u angazhuan 26 automjete zjarrfikëse, 120 efektivë, 40 vullnetarë, 67 forca bashkiake, 20 forca policore dhe 180 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga dy helikopterë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave, pasurisë dhe mjedisit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




