Hiri vullkanik paralizon fluturimet në aeroportin kryesor të Indonezisë

Botë | 6 orë më parë

Një shpërthim i vullkanit Anak Krakatau ka shkaktuar pezullimin e 209 fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar Soekarno-Hatta të Xhakartës, duke prekur më shumë se 22 mijë pasagjerë.

Autoritetet indoneziane thanë se hiri vullkanik u përhap në hapësirën ajrore pranë aeroportit të dielën në mëngjes, duke detyruar pezullimin e fluturimeve kryesisht drejt dhe nga Singapori, por edhe në linja të tjera ndërkombëtare, përfshirë Dohën, Sidnein dhe Kuala Lumpurin.

Vullkani Anak Krakatau kishte nisur aktivitetin vonë të premten. Shpërthimet u shoqëruan me aktivitet të vazhdueshëm sizmik, burime lave dhe tinguj të fuqishëm të dëgjuar në zonat përreth. Autoritetet raportuan edhe dy shpërthime të tjera herët të dielën.

Pavarësisht aktivitetit të vullkanit, autoritetet kanë konfirmuar se nuk ka paralajmërim për cunami. Vullkani ndodhet në ngushticën Sunda, mes ishujve Java dhe Sumatra.

Ministria e Shëndetësisë u ka kërkuar banorëve të zonave të prekura të qëndrojnë brenda dhe të përdorin maska për t’u mbrojtur nga pasojat e hirit vullkanik, i cili mund të shkaktojë irritim të syve, lëkurës dhe rrugëve të frymëmarrjes.

Indonezia ndodhet në të ashtuquajturën Unaza e Zjarrit e Paqësorit, një zonë me aktivitet të lartë sizmik dhe vullkanik, ku tërmetet dhe shpërthimet vullkanike janë të shpeshta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme