Mbi 50 vite dashuri për drugdhendjen, zanati i vjetër që vazhdon të jetojë në duart e mjeshtrit

Sociale | 8 orë më parë

Në Gjirokastër, aty ku tradita dhe trashëgimia kulturore ruhen me fanatizëm, disa zanate të vjetra vijojnë të jetojnë falë duarve të mjeshtërve që nuk pranojnë t’i lënë të harrohen. Prej vitit 1968, Agron Haska merret me drugdhendjen. Ai e mësoi zanatin pranë mjeshtërve më të njohur të kohës.

“Kam punuar pas mjeshtrave dhe pastaj, nga viti ’77, dola më vete. Në çdo shtëpi gjirokastrite që kam punuar, edhe këtu në dyqan, punët e mia janë të gjitha punët e mia. Nuk janë as të blera, as të huazuara”, u shpreh drugdhendësi.

Çdo ditë, Agroni i drejtohet punishtes së tij. Aty kalon një pjesë të konsiderueshme të ditës, mes drurit, veglave dhe punimeve që dalin njëra pas tjetrës nga duart e tij. Për të, kjo nuk është thjesht një mënyrë për të siguruar jetesën. Është një lidhje shpirtërore me një zanat të cilit i ka kushtuar më shumë se pesë dekada.

“Çdo ditë, nga ora 9:00 deri në orën 4-5 pasdite, sipas punës. Punishtja është jetë”, tha ai.

Agron Haska vazhdon të punojë çdo ditë, duke dëshmuar se tradita mund të mbijetojë kur ka njerëz që e duan dhe e përcjellin atë.

Gazetare: L. Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme