10-vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës – Mesha solemne në Shkodër në nder të shenjtores shqiptare
Dhjetë vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës, mesazhi i saj i dashurisë dhe shërbimit ndaj më të varfërve vazhdon të mbetet i gjallë.
Në Bazilikën e Nënës së Këshillit të Mirë në Shkodër, festa u kremtua me lutje, adhurim dhe Meshën e Shenjtë, të kryesuar nga Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pultit.
Imzot Peragine u shpreh se “Është veçanërisht e bukur që këtë vit, këtë festë po e kremtojmë pikërisht në këtë vend, në këtë basilikë. Në kuadrin e vitit jubilar kushtuar Zonjës së Këshillit të Mirë, do të falënderojmë Zotin për figurën e saj, për jetën e saj, përkushtimin e saj, për guximin dhe për shërbimin që Nënë Tereza ka pasur ndaj të varfërve.”
Në hyrje të kishës u prezantuan veshjet e Nënë Terezës nga periudha kur ajo ishte ende vajzë e re, përpara se të hynte në jetën murgeshore. Dom Artur Jaku, rektor i Bazilikës, bëri të ditur se këto rroba përbëjnë një dëshmi të rrallë të jetës së saj.
Një moment i veçantë ishte edhe prezantimi i kostumit tradicional të Nënë Terezës. Prof. Afërdita Onuzi, etnografe dhe studiuese e trashëgimisë kulturore shqiptare, solli në vëmendje rëndësinë historike dhe etnografike të kësaj veshjeje, duke theksuar se
“Arrita të bëj një ekspozitë me qëndisje artistike të punuara me mëndafsh, qëndisje nga qyteti i Shkodrës dhe nga Prizreni. Sigurisht në qendër të vëmendjes ishte kostumi i Nënë Terezës.”
Në këtë 10-vjetor të shenjtërimit, lutjet u drejtuan për Shqipërinë, familjet, të varfrit, të sëmurët dhe veçanërisht për të rinjtë.
Një ditë që riktheu në vëmendje thirrjen e Nënë Terezës për të bërë mirë, edhe përmes gjërave më të vogla, por gjithmonë me dashuri të madhe.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




