Deputeti Ramion Kurti: Zjarret në Frakull nën kontroll, ndërhyrje nga toka dhe ajri. Policia identifikon autorët e zjarrvënies në Fier
Deputeti i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Ramion Kurti, në një prononcim për RTSH ka deklaruar se situata e zjarreve në zonën e Frakullës është vendosur nën kontroll falë ndërhyrjes së forcave nga toka dhe ajri.
Deputeti socialist sqaroi se aktualisht ka mbetur vetëm një vatër aktive në Frakull, e cila është nën monitorim, ndërsa situata në tërësi paraqitet e normalizuar.
Ai shtoi se ende nuk ka një bilanc paraprak të dëmeve, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, banesa të djegura apo njësi ekonomike të dëmtuara.
“E vërteta është në fakt që situata tashmë është vendosur nën kontroll nga strukturat e emergjencave civile, por më lejoni që t’ju bëj një rezyme që nga dita e djeshme ku besoj rreth orës 11:00 është paraqitur zjarri i parë në zonën e Radostinës, i cili më tej për shkak edhe të erës së fortë ka vazhduar dhe ka marrë pjesën e kodrave të Levanit duke hyrë pothuajse edhe brenda në zonat e banuara, por pa i prekur zonat e banuara dhe më tej ka kaluar pastaj në zonën e kodrinave të Frakullës. Ne kemi qenë gjatë gjithë kohës në monitorim të situatës. Forcat e forcat e armatosura, ushtria, policia e shtetit, zjarrëfikëset kanë qenë të gjitha në terren për ta parë këtë situatë dhe kanë bërë ndërhyrjet e nevojshme. Tani që flasim në Frakull, kemi vetëm një zonë aktive e cila është në monitorim. Siç e shihni edhe me ndërhyrje jo vetëm nga toka, por edhe nga ajri. Kanë qenë dy helikopterë që kanë operuar thuajse gjatë gjithë ditës dhe një avion i cili na ka dhënë një suport të jashtëzakonshëm. Pra situata tani paraqitet e normalizuar.”
Deputeti socialist ka shtuar se ende nuk ka një bilanc paraprak të dëmeve, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, banesa të djegura apo njësi ekonomike të dëmtuara.
“Për momentin ne nuk e kemi këtë informacion pasi për ne ka shumë rëndësi jeta e njeriut. Më pas kemi të bëjmë me pjesën e banesave për të cilat, për hir të së vërtetës, falë Zotit edhe falë ndërhyrjes së të gjitha forcave, nuk kemi pasur dëme në banesa. Ashtu edhe në njësi ekonomike nuk ka pasur asnjë dëm. Për pjesën tjetër pastaj do të shohim, do të ketë komisione të posaçme të cilat do të bëjnë verifikimet e duhura.”
Ndërkohë, Kurti ka bërë të ditur se policia e Fierit ka identifikuar autorët e zjarrvënies. Njëri prej tyre, një 50-vjeçar, është arrestuar, ndërsa një tjetër, 91-vjeç, është proceduar në gjendje të lirë.
“Në po ndalemi tek zjarrëvënësit. U fol edhe nga zoti Çako ditën e djeshme për një zjarrëvënie të qëllimshme. Po, ka dyshime që është një zjarrëvënie e qëllimshme. Unë kam marrë një informacion qoftë zyrtar nga Drejtoria Vendore e Policisë, por edhe nëpërmjet mediave, ku është arrestuar njëri prej zjarrëvënësve, ndërsa një person tjetër, një zjarrëvënës tjetër, është proceduar në gjendje të lirë.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




