Mbërritja në Moskë e Witkoff dhe Kushner, priten nga i dërguari i posaçëm i Putinit, Kirill Dmitriev

I dërguari special i presidentit rus Vladimir Putin, Kirill Dmitriev, pritet të takohet me të dërguarit specialë amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët kanë mbërritur sot në Moskë.
Sipas Reuters, takimi mes zyrtarëve do të zhvillohet gjatë vizitës së Witkoff dhe Kushner në kryeqytetin rus. Dmitriev kishte deklaruar më herët se ka ruajtur komunikimin me negociatorët amerikanë edhe gjatë periudhës kur vizitat e tyre në Rusi ishin ndërprerë, ndërsa ka marrë pjesë edhe në takimet e mëparshme me presidentin Vladimir Putin.
Dmitriev ka pasur një rol të rëndësishëm në negociatat për pezullimin e zbatimit të sanksioneve amerikane ndaj naftës ruse në fillim të këtij viti. Vizita e të dërguarve amerikanë në Moskë vjen në kuadër të kontakteve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Në rrjetin social X, Dmitriev publikoi foto nga mbërritja e Witkoff dhe Kushner në Moskë, duke i cilësuar si “paqebërës”.
“Mirë se vini në Moskë, paqebërësit Steve Witkoff dhe Jared Kushner!”, – shkroi ai, duke shoqëruar postimin me pamjet nga aeroporti.
Dy të dërguarit amerikanë kanë mbërritur në Moskë të shtunën, në kuadër të përpjekjeve për të rigjallëruar bisedimet e paqes për përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Sipas mediave amerikane, ata pritet të zhvillojnë një takim me presidentin rus Vladimir Putin gjatë ditës së sotme, si dhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Vizita zhvillohet në një kohë kur negociatat për paqen kanë ngecur dhe ende nuk ka një rrugë të qartë drejt përfundimit të konfliktit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




