Përfshihen nga flakët kodrat në Shkodër, ndërhyrje nga ajri. Angazhim maksimal i forcave në terren

Aktualitet | 1 ditë më parë

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë kodrat e Myselimit dhe Bardhajve në zonën e Shkodrës, duke vënë në rrezik edhe banesat pranë vatrës së zjarrit.

Era e fortë dhe terreni i thyer kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të zjarrit në sipërfaqe me bimësi, ndërsa për izolimin e tij është ndërhyrë edhe nga ajri me një helikopter.

Në terren janë angazhuar 6 mjete zjarrfikëse të Bashkisë Shkodër me efektivët përkatës, si dhe një bot uji i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike.

Operacionit i janë bashkuar gjithashtu strukturat e Emergjencave Civile, Shërbimi Pyjor dhe përfaqësues të njësive administrative Rrethina dhe Postribë.

Falë ndërhyrjes së forcave, deri tani janë mbrojtur 15 banesa, duke shmangur rrezikun për familjet e zonës.

Sipas gazetares së RTSH-së, operacioni për shuarjen e flakëve vijon me mbështetjen e një mjeti zjarrfikës të Repartit Ushtarak Vau i Dejës, në koordinim me Prefekturën e Qarkut Shkodër dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC).

Forcat në terren po punojnë për izolimin e plotë të vatrave dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit drejt zonave të banuara.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme