Davej Leach, fotografi i shpendëve, i apasionuar pas natyrës dhe faunës në vendin tonë
Dejvi Leach, fotograf dhe ornitolog i apasionuar pas natyrës dhe faunës shqiptare, është rikthyer sërish në vendin tonë për të vrojtuar botën e egër të shpendëve.
Këtë vit ai ka zgjeruar hartën e vrojtimeve dhe befasia më e madhe ka qenë rigjetja e shqiponjës në Bardhoc të Kukësit, shpend që ai e identifikon me simbolin e flamurit shqiptar, edhe pse llojet e shqiponjave janë të shumta.
“Pranë rrugës në Prizren pashë një shqiponjë të madhe, të ngjashme me atë që është vendosur mbi flamurin e Shqipërisë. Ishte hera e katërt që kam parë një pamje të tillë. Në Shqipëri e kam parë vetëm në Valbonë dhe një herë tjetër në Peshkopi. Pamja ishte vërtet fantastike, një përjetim i veçantë. Një ditë më parë pata rastin të shihja edhe një tjetër, që më la përshtypje të fortë,” – rrëfen ai.
Për ekonomistin nga Londra, i cili është edhe ornitolog, puna nis herët në mëngjes në terren. Pasioni për botën e egër u shtua edhe më shumë kur zbuloi Shqipërinë dhe Kukësin, ku gjeti edhe bashkëshorten e tij, me të cilën ka tre fëmijë. Për të, vendi ynë mbetet një atdhe i dytë.
“Duhet të çmoni çfarë keni, sepse në Angli kemi humbur shumë pasuri natyrore. Është domosdoshmëri që shqiptarët të vlerësojnë pasuritë e tyre natyrore,” – thekson Dejvi.
Ai lëshon një mesazh për gjithë shqiptarët që ta duan dhe ta ruajnë natyrën e bukur që kanë. Përvoja e hidhur e vendit të tij, ku shpendët dhe pasuritë natyrore u humbën një shekull më parë nga pakujdesia dhe dëmtimet ndaj mjedisit, shërben si paralajmërim.
Gazetar: Jonuz Hallaçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




