AFD e ekstremit të djathtë synon fitore historike–Të dielën votohet në landin gjerman Saksoni-Anhalt

Europë | 24 orë më parë

Gjermania përballet me zgjedhje rajonale historike këtë të dielë në lindjen ish-komuniste, ndërsa vëmendja e politikës është zhvendosur drejt Saksoni-Anhaltit.

Në landin me rreth 2.1 milionë banorë votimet mund të prodhojnë një rezultat të paprecedentë në Gjermaninë e pasluftës, pasi Alternativa për  Gjermaninë, partia e ekstremit të djathtë kryeson sondazhet përballë CDU-së së Fridrich Merz, duke rritur presionin mbi kancelarin gjerman.

Sipas sondazheve AfD mbështetet nga rreth 40 përqind e elektoratit në Saksoni-Anhalt, me kandidatin e saj kryesor 35-vjeçar Ulrich Siegmund.

E përqendruar kryesisht te emigracioni, ekonomia dhe pakënaqësia me partitë tradicionale, AfD kërkon kufizime të forta ndaj emigracionit dhe azilit, ndërsa mbështet edhe rikthimin e marrëdhënieve më të afërta me Rusinë dhe kundërshton disa prej politikave aktuale të Berlinit dhe Bashkimit Evropian.

Siegmund është zotuar të “bëjë histori” të dielën dhe të udhëheqë një revolucion politik nga shteti i vogël, që ai shpreson se do ta çojë partinë e tij drejt fitores në zgjedhjet kombëtare të vitit 2029. Por një fitore e qartë  nuk do të thotë automatikisht se AfD do të qeverisë.

Partitë kryesore gjermane refuzojnë bashkëpunimin me të ndaj nëse partia ekstremiste nuk merr shumicën absolute, subjektet e tjera mund të përpiqen të ndërtojnë një koalicion për ta lënë atë jashtë qeverisë.

Ndërsa shumë votues të AfD-së mezi presin ndryshime drastike, skenari i një fitoreje të AfD-së e frikëson pjesën më të madhe të Gjermanisë.

Nëse AfD arrin të marrë drejtimin e Saksoni-Anhaltit, për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore një forcë e së djathtës ekstreme do të drejtonte qeverinë e një landi gjerman.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme