Ndërhyhet nga ajri në Himarë, 6 banesa të djegura, vijon lufta me flakët në Frakull të Fierit
Një situatë të rëndë përjetoi Himara mbrëmë për shkak të zjarrit që përfshiu kodrat. Gjithçka u bë edhe më e vështirë kur era favorizoi përhapjen e flakëve, duke pamundësuar vënien e tyre nën kontroll.
Banorët përjetuan momente frike, ndërsa shtëpi dhe ullinj shekullorë u dogjën. Policia ndërhyri duke evakuar 36 familje.
Pamjet e filmuara nga ajri tregojnë dëmet e shumta që zjarri la pas. Fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.
Afrovita Hysaj, gazetare e RTSH, u shpreh se nuk flasim vetëm për pemtarinë, për mijëra rrënjë ullinj shekullorë të djegur, por mbi të gjitha për dëmet e shkaktuara në banesa.
Në Potam, flakët rrezikuan t’i afroheshin edhe një hoteli, ndërsa pushues të shumtë dhe banorë të zonës dolën në breg të detit për t’iu shmangur çdo situate të rrezikshme. Mëngjesin e së shtunës, situata u përmirësua falë ndërhyrjes nga ajri me helikopterë.
Evis Alushi, prefekte e Qarkut Vlorë, u shpreh: “Situata është e përmirësuar, mbahet e monitoruar dhe në kontroll. Rreziku duket sikur është larguar.”
Përvin Gjikuri, sekretar i përgjithshëm i Bashkisë Himarë, dhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaruan nga Himara se situata është totalisht e qetë dhe nën kontroll.
Kryeministri Rama shkroi në rrjetet sociale se bashkitë do të vijojnë procesin e identifikimit dhe vlerësimit të dëmeve, si dhe evidentimin e rasteve që kanë nevojë për ndihmë urgjente.
Në 24 orët e fundit në vend janë regjistruar 39 vatra zjarri, ku u angazhuan 881 forca operacionale, 75 automjete zjarrfikëse dhe 340 efektivë të Forcave të Armatosura, me mbështetjen e helikopterëve dhe avionit “Air Tractor”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




