SPAK, Sazani, Tirana dhe pushteti, Rama zbardh disa nga temat e podcastit “Flasim Shqip”

Aktualitet | 8 orë më parë

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar episodin e radhës të podcastit të tij “Flasim”, i cili këtë herë do të zhvillohet në formatin “Flasim Shqip” me gazetaren Rudina Xhunga.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Rama bën të ditur se Xhunga do t’i drejtojë 330 pyetje gjatë një bashkëbisedimi maratonë. Në fragmentet e publikuara, kryeministri ndalet në disa prej çështjeve më të diskutuara politike dhe institucionale të aktualitetit.

Duke folur për institucionet e drejtësisë, Rama kritikon ndërhyrjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve në vendimmarrjen politike, duke deklaruar se institucionet e drejtësisë nuk mund të marrin kompetencat e institucioneve politike.

“Prokurori bashkë me një tjetër u bashkuan dhe vendosën të bëjnë kryeministrin, parlamentin dhe presidentin. Unë këtë s’mund ta pranoj”, shprehet Rama.

Kryeministri kritikon gjithashtu mënyrën e komunikimit të SPAK-ut me mediat, duke pretenduar se informacionet janë përdorur për të dëmtuar publikisht persona që më pas janë marrë nën akuzë.

“Një nga gjërat më të këqija që ka bërë SPAK-u, që ka përdorur mediat për të baltosur ata të cilët do të merrte në akuzë. Kjo nuk bëhet”, thotë ai.

Një tjetër çështje e komentuar është situata në Bashkinë e Tiranës. Rama e përshkruan drejtimin aktual të institucionit si “një eksperiment social dhe ekonomik”, duke iu referuar situatës së kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili vijon të jetë nën masën e sigurisë “arrest në burg”.

“Bashkia nuk ka kokë. Është një eksperiment social dhe ekonomik që një kryeqytet të drejtohet pa kokë”, deklaron kryeministri.

Në bisedë preket edhe çështja e ishullit të Sazanit dhe debatet rreth investimit të paralajmëruar atje. Rama kundërshton pretendimet se Shqipëria po shet territorin e saj.

“Ata nuk po blejnë ishullin, ata as nuk po marrin pronësi mbi ishullin. Ai ishull i Republikës së Shqipërisë do të jetë pronë… Nuk jam shitësi i Shqipërisë”, shprehet ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme