Sjelljet agresive tek të rinjtë, ekspertët: Mbështetja familjare është thelbësore
Sjelljet agresive tek të rinjtë janë një fenomen që kërkon vëmendje dhe ndërhyrje të hershme, veçanërisht kur këto sjellje përsëriten dhe ndikojnë në marrëdhëniet me familjen, bashkëmoshatarët apo komunitetin. Ekspertët e shëndetit mendor theksojnë se pas një sjelljeje agresive mund të fshihen problematika të ndryshme emocionale.
“Ka të bëjë me faktorin individual, faktorin familjar, presionin social dhe faktorin biologjik. Pra, është mënyra e rritjes dhe edukimit, si dhe historiku i rritjes dhe edukimit të një fëmije, që mund të çojë në çrregullime të sjelljes. Janë ndër faktorët më të shpeshtë që vihen re te të rinjtë dhe adoleshentët, veçanërisht te fëmijët që ekspozohen ndaj formave të ndryshme të dhunës”, u shpreh Nikolina Bode, Mjeke Psikiatre QKSHM, Korçë.
Por Boden, një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces ka familja. Një mjedis familjar ku i riu ndihet i dëgjuar, i pranuar dhe i mbështetur mund të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e sjelljes dhe në përballimin e vështirësive emocionale.
“Familja duhet të jetë suporti kryesor dhe të tregojë vëmendjen e duhur, sepse ndonjëherë të rinjtë janë të vegjël dhe të pafajshëm përballë sjelljeve ndaj të cilave ekspozohen. Kjo ndodh veçanërisht kur ata përballen me dhunë brenda familjes ose, e kundërta, me indiferencë dhe neglizhencë familjare”, tha ajo.
Kur agresiviteti bëhet i shpeshtë, i pakontrollueshëm ose shoqërohet me probleme të tjera emocionale e sociale, nevojitet edhe mbështetja e specialistëve të shëndetit mendor. Psikologu apo profesionistë të tjerë të fushës mund të ndihmojnë të riun të kuptojë emocionet e tij, të menaxhojë zemërimin dhe të zhvillojë mënyra më të shëndetshme për të reaguar ndaj situatave konfliktuale.
Gazetare: G. Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




