Rritet interesi për studimet e larta/Universiteti i Durrësit, mbi 1100 të regjistruar, 700 të huaj kanë aplikuar

Arsim | 8 orë më parë

Në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, rreth 50% e kuotave të ciklit të parë janë plotësuar deri në fazën e katërt të raundit të parë. Deri tani janë regjistruar 1111 studentë në gjashtë fakultete, ndërsa rektori Shkëlqim Fortuzi pret që numri të arrijë në rreth 1300 deri në përfundim të kësaj faze. Ndër programet më të preferuara janë degët e Fakultetit të Edukimit, si Mësues për Arsimin Fillor dhe Gjuhë Angleze, si dhe ato të Fakultetit të Biznesit, përfshirë Financë-Kontabilitet, Administrim Biznesi, Informatikë-Matematikë dhe Shkenca Ekonomike.

“Programet që kanë performuar më mirë gjatë këtyre katër fazave janë programi i Mësuesisë për Arsimin Fillor në Fakultetin e Edukimit. Gjithashtu, performancë pozitive ka pasur edhe programi i Gjuhës Angleze. Për sa i përket Fakultetit të Biznesit, performancë pozitive kanë pasur programet e Financë-Kontabilitetit, Administrimit të Biznesit, Informatikës Ekonomike dhe Shkencave Ekonomike”, u shpreh Shkwlqim Fortuzi, Rektor i UAMD.

Risi këtë vit është rritja e interesit të studentëve të huaj për të studiuar në Universitetin “Aleksandër Moisiu”. Sipas rektorit Fortuzi, deri tani kanë aplikuar rreth 700 studentë nga vende të ndryshme të botës, ndërsa 67 prej tyre janë në proces pajisjeje me vizë pranë ambasadave shqiptare.

“Aktualisht, kanë aplikuar rreth 700 aplikantë nga vende të ndryshme të botës për të kryer studimet në Universitetin „Aleksandër Moisiu“ Durrës. Aktualisht, 67 studentë kanë kaluar të gjitha fazat dhe janë në proces të pajisjes me vizë nga ambasadat tona në vendet përkatëse. Kjo është një shifër mjaft e kënaqshme për Universitetin „Aleksandër Moisiu“ Durrës”, tha ai.

Në total, Universiteti “Aleksandër Moisiu” ka 2700 kuota të përcaktuara për ciklin e parë të studimeve. Deri në përfundim të afateve të regjistrimit, parashikohet të plotësohen rreth 70% e këtyre kuotave.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme