Riaktivizohen vatrat e zjarrit në Frakull të Fierit, vijon operacioni ajror në pyllin e Babunit
Era e fortë ka nxitur përhapjen e flakëve në pyllin e Levanit, duke riaktivizuar vatra që më herët ishin izoluar.
Zjarri ka përfshirë sipërfaqe të gjera me ullinj dhe pyje, ndërsa tymi i dendur është shpërndarë deri në qytetin e Vlorës, duke krijuar shqetësim edhe përtej Fierit.
Zjarri po djeg një masiv me pisha, duke iu afruar edhe pjesës së poshtme të ullishteve.
Disa banesa dhe stalla bagëtish janë djegur, ndërsa familje të zonës janë evakuuar për shkak të rrezikut të drejtpërdrejtë.
Në Frakull, në zonën e njohur si pylli i Babunit, flakët kanë përfshirë një masiv me pisha. Forcat e Armatosura kanë angazhuar 90 trupa nga repartet e Poshnjës dhe Tiranës, të mbështetur nga 7 mjete zjarrfikëse të vendosura në perimetrin e vatrës.
Policia e Fierit ka zbardhur dy raste zjarrvënieje në fshatrat Daullas dhe Kreshpan në Fier. Në Daullas u arrestua një 50-vjeçar, pasi zjarri që kishte ndezur për të djegur shkurre doli jashtë kontrollit dhe përfshiu sipërfaqe të mëdha me bimësi. Në Kreshpan u procedua penalisht një tjetër person, i cili kishte ndezur mbetje në tokën e tij, por flakët u përhapën nga era e fortë, duke rrezikuar edhe disa banesa.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe tymit të dendur, ndërhyrja tokësore është e komplikuar, ndaj operacioni po mbështetet edhe nga ajri me helikopterë zjarrfikës që kryejnë hedhje uji për të frenuar përhapjen e flakëve.
Një ditë më parë, zjarri ishte shtrirë në disa zona të Fierit, përfshirë Fermë Çlirimin, Radostinën, Levanin, Peshtanin e Vogël, Frakullën dhe Zhupanin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




