Operacioni i zhvilluar në Sarandë dhe i shitur në media si një “megaoperacion” kundër narkotikëve po ngre pikëpyetje gjithnjë e më serioze mbi mënyrën se si është ndërtuar procedimi penal, mbi rolin konkret të agjentit të infiltruar dhe mbi mënyrën se si janë trajtuar qytetarët që përfunduan në pranga.
Sipas informacioneve të marra nga brenda Komisariatit të Policisë Sarandë, në qendër të këtij operacioni qëndron një agjent i infiltruar i policisë, i cili, sipas të dhënave tona, nuk është kufizuar thjesht në vëzhgimin dhe dokumentimin e një aktiviteti kriminal ekzistues. Ai ka lëvizur lokal më lokal, ka kërkuar të blejë lëndë narkotike, ka ofruar të shesë dhe ka krijuar vetë kontakte me persona të ndryshëm, disa prej të cilëve më pas përfunduan nën akuzë.
Ky në foto është, sipas të dhënave që disponojmë, “007-a” i Policisë së Sarandës, personi i përdorur si agjent i infiltruar në operacionin që përfundoi me 25 qytetarë të arrestuar. Vetëm se ky “James Bond” i Sarandës, sipas pretendimeve që duhet të verifikohen nga dosja, nuk mjaftohej duke parë dhe dëgjuar. Ai kërkonte të blinte, ofronte të shiste dhe stimulonte vetë kontaktet për narkotikë. Prandaj pyetja që duhet të marrë përgjigje është se ky agjent po zbulonte një krim që ekzistonte më parë, apo po hynte vetë në mekanizmin që e prodhonte dhe e ushqente atë?
Sipas të dhënave që dalin nga aktet e dosjes, një pjesë e konsiderueshme e akuzave mbështetet te përgjimet dhe kontaktet e realizuara gjatë operacionit. Nëse kjo panoramë konfirmohet, atëherë çështja bëhet shumë më serioze: policia zbuloi një aktivitet kriminal të pavarur, apo ngriti vetë kurthin, krijoi kushtet dhe më pas paketoi rezultatin si sukses operacional?
Sepse infiltrimi është një mjet hetimor për të dokumentuar kriminalitetin që ekziston. Nuk mund të shndërrohet në një mekanizëm ku agjenti kërkon, ofron, stimulon dhe më pas policia numëron arrestimet si provë të suksesit të saj. Nëse personi i infiltruar ka qenë ai që ka krijuar nxitjen kryesore për kontaktet dhe veprimet, atëherë kufiri mes infiltrimit dhe provokimit bëhet vendimtar.
Në fund, 25 qytetarë u arrestuan dhe kjo mjaftoi që operacioni të etiketohej “mega”. Por madhësia e një operacioni nuk matet me numrin e prangave, me numrin e kamerave apo me sa portale riprodhojnë komunikatën e policisë. Matet me ligjshmërinë e provave, me ekzistencën e një veprimtarie kriminale të pavarur nga ndërhyrja policore dhe me pyetjen thelbësore nëse personat e proceduar do t’i kishin kryer të njëjtat veprime edhe pa nxitjen, ofertat apo ndërhyrjen aktive të agjentit.
Në këtë pikë, edhe prokurorja Esmeranda Basho duhet të japë shpjegime të qarta. Çfarë ka hetuar realisht në këtë dosje, një krim që ekzistonte në mënyrë të pavarur, apo një situatë të krijuar dhe të stimuluar nga vetë policia? Çfarë autorizimi kishte agjenti, cilat ishin kufijtë e veprimtarisë së tij dhe si u kontrollua që ai të mos kalonte nga infiltrimi te provokimi?
Nëse agjenti kërkonte, ofronte dhe stimulonte vetë kontaktet për narkotikë, atëherë Prokuroria nuk mund të fshihet pas numrit 25 sikur ai të ishte provë suksesi. Detyra e një prokurori është të kontrollojë ligjshmërinë e hetimit dhe të provave, jo thjesht t’i japë formë procedurale çdo skenari të prodhuar nga policia dhe më pas ta paketojë si “megaoperacion”.
Sepse një shtet serioz nuk lufton krimin duke krijuar vetë kushtet për të dhe më pas duke dalë para kamerave për ta shpallur të zbuluar. Nëse policia krijon kontaktin, krijon ofertën, stimulon veprimin dhe në fund vendos prangat, atëherë nuk kemi më vetëm një debat procedural. Kemi një problem thelbësor me mënyrën se si është ndërtuar vetë akuza dhe me ligjshmërinë e provave mbi të cilat ajo mbështetet.
Prandaj pyetja që duhet t’i përgjigjet dosja, jo propaganda, është shumë e thjeshtë apo u godit një aktivitet kriminal që ekzistonte realisht, apo u ngrit një kurth policor për të prodhuar një “megaoperacion” për show? / Infront