Pas një hetimi intensiv disaditor, policia arrestoi sot këngëtarin Jozefin Marku, pas publikimit të videos ku ai dhe persona të tjerë shfaqeshin duke dhunuar Edi Kuçin. Marku, i cili me sa duket ishte në dijeni se po kërkohej nga policia, është prangosur i fshehur në tualetin e një banese të shokut të tij. Jozefin Marku, i cili po kërkohet edhe nga drejtësia e Kosovës, do përballet me 5 akuza si pengmarrje, mbajte e paligjshme e uniformës, plagosje e lehtë me dashje, kanosje dhe ndërhyrje e padrejtë në jetën private.
Gjatë momentit të arrestimit, 30-vjeçari Jozefin Marku po qëndronte i fshehur në tualetin e banesës së Kristjan Nikollit, 31 vjeç, i cili u arrestua gjithashtu. Gjatë kontrollit të banesës së Nikollit, policia sekuestroi një sasi municioni, ndërsa u sekuestrua edhe një automjet tip “Land Rover”, që dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes. Autoritetet po vijojnë veprimet hetimore për të dokumentuar plotësisht rrethanat e konfliktit.
Sipas burimeve, gjatë marrjes së pyetje, këngëtari Marku ka pretenduar se ngjarja ishte aktrim dhe se po luanin një film. Marku është me precedentë penal, pasi ka bërë 3 vite burg në Zvicër për dhunimin e ish partneres së tij. Gjithashtu, ai u arrestua edhe në prill 2025 pasi goditi konkurrentin në Big Brother, Besart Kelmendin, i njohur si Gjesti.
Policia po heton edhe për ekzistencën e një grupi kriminal, ndërsa po punon për kapjen e dy personave të tjerë, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar me Markun dhe aktualisht janë shpallur në kërkim. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale janë bërë pjesë e hetimit, ndërsa materialet procedurale do t’i nënshtrohen vijimit të procedurave ligjore nga organet kompetente.
Njoftimi i policisë
“Për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kanë kryer veprime hetimore në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
Si rezultat i veprimeve të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, u ndaluan shtetasit J. M., 30 vjeç, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”, si dhe K. N., 31 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë drejtues i automjetit tip “Land Rover”, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja në jetën private”. Ndërkohë, u shpallën në kërkim shtetasit A. H., 48 vjeç dhe K. V., 27 vjeç.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K. N., u gjetën dhe u sekuestruan një sasi municioni, si dhe automjeti tip “Land Rover”, i dyshuar se është përdorur në ngjarje.
Këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, kanë dhunuar shtetasin E. K., 26 vjeç, me pretendimin se ky i fundit kishte fyer një prej tyre.
Punohet për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”.