Gjykata ka caktuar masat e sigurisë për pesë personat e arrestuar pas konfliktit të ndodhur në ambientet e resortit “Regina Palm” në Radhimë.
Për biznesmenin Luan Muça është vendosur masa “detyrim paraqitjeje”, ndërsa Angjelo Breshani do të hetohet nën masën “arrest në shtëpi”.
Masa më e rëndë, “arrest në burg”, është caktuar për tre të arrestuarit e tjerë: Blerim Hetën, Klaudjo Lleshajn dhe Mandrit Lleshajn.
Ngjarja në Radhimë u shoqërua me një përplasje të fortë mes dy grupeve dhe më pas me arrestimin e pesë personave. Sipas autoriteteve, materialet për personat e arrestuar i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve.
Në lidhje me të njëjtën ngjarje, fillimisht u shpallën në kërkim edhe gjashtë persona të tjerë. Hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe për të dokumentuar plotësisht rrethanat e konfliktit.
Përplasja në “Regina Palm” ka në qendër biznesmenët Vasil Bedinaj dhe Luan Muça, të cilët kanë dhënë versione të ndryshme për shkakun e konfliktit. Sipas pretendimeve të Bedinajt, atij i është kërkuar një shumë prej 5 milionë eurosh, ndërsa Muça e ka mohuar akuzën për gjobëvënie dhe ka deklaruar se konflikti lidhet me një çështje pronësie.
Hetimet pritet të hedhin dritë mbi dinamikën e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.







