Pacolli shpërthen në akuza ndaj Ademit e Llukës: Do të publikoj faktet!

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka vijuar përplasjen publike me Valon Ademin dhe Valon Llukën, duke ngritur një sërë akuzash të reja lidhur me administrimin dhe transaksionet financiare të kompanive të tij.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Pacolli shprehet se pret që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të miratojë auditimin financiar që, sipas tij, është kërkuar që prej tetorit të vitit 2025.

Pacolli pretendon se auditimi do të ndihmonte në zbardhjen e një sërë veprimesh financiare për të cilat ai ngre pikëpyetje. Në mënyrë të veçantë, ai akuzon Valon Ademin dhe Valon Llukën për një transaksion që lidhet me blerjen e 30 kamionëve.

Sipas Pacollit, automjetet janë blerë me rreth 14 milionë euro nga fondet e MABCO-s, janë pajisur me identifikimin e Mabetex dhe më pas janë shitur. Biznesmeni pretendon se të ardhurat nga ky transaksion kanë përfunduar në përfitim personal të personave që ai akuzon.

Pacolli paralajmëron se do të publikojë të dhëna të tjera që, sipas tij, lidhen me administrimin financiar dhe me veprimtarinë e Valon Llukës.

Pacolli: Do të publikoj të dhëna për faturat milionëshe

Në reagimin e tij, Pacolli përmend edhe fatura me vlera të konsiderueshme, të cilat i cilëson si të dyshimta. Ai pretendon se janë kryer pagesa për fatura milionëshe, ndërkohë që, sipas tij, nuk ka pasur dokumentacion që të provonte kryerjen e punëve përkatëse.

Biznesmeni deklaron se do të bëjë publike edhe të dhëna të tjera mbi atë që e konsideron abuzim financiar, duke përfshirë mënyrën se si janë autorizuar dhe kryer pagesat.

Një tjetër çështje që Pacolli ngre lidhet me aktivitetin e Valon Ademit në Aeroportin e Vlorës. Ai pretendon se disa punime janë paguar për herë të dytë përmes një kredie të marrë nga BKT-ja dhe se kjo kredi tashmë kërkohet të shlyhet nga MABCO.

Sipas tij, një auditim financiar do të ishte i nevojshëm për të sqaruar rrjedhën e parave dhe përgjegjësitë lidhur me këto transaksione.

Akuzat për VIA-n dhe Aeroportin e Vlorës

Pacolli ka rikthyer në vëmendje edhe zhvillimet që lidhen me projektin e VIA-s, duke pretenduar se ndaj tij, vëllait dhe familjes së tij është zhvilluar më herët një fushatë denigruese dhe manipuluese.

Ai përmend gjithashtu deklarata publike të bëra nga avokati Besnik Berisha dhe persona të tjerë, si dhe pretendon se disa vendime gjyqësore që prekën projektin e VIA-s kanë qenë të paligjshme, duke theksuar se ato më pas janë rrëzuar nga Gjykata e Lartë.

Në deklaratën e tij, Pacolli përmend edhe çështjen e Delphosit dhe thotë se, sipas tij, në këtë histori janë përfshirë emra që nuk kanë lidhje me projektin apo me Shqipërinë.

Ai pretendon se Valon Ademi nuk ka vepruar i vetëm dhe akuzon edhe Valon Llukën, ish-administrator të VIA-s, për veprime që, sipas tij, i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme kompanisë.

Përmend edhe llogaritë private dhe Mabetex-in në Emirate

Në pjesën tjetër të deklaratës, Pacolli paralajmëron publikimin e të dhënave për një tjetër çështje financiare që ai e cilëson si mashtrim.

Sipas pretendimit të tij, bëhet fjalë për një shumë prej rreth 2 milionë eurosh, të lidhur me një llogari private që, sipas Pacollit, Valon Lluka e menaxhonte në mirëbesim.

Ai përmend gjithashtu likuidimin e Mabetex-it në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe pretendon se ky proces është kryer në favor të Valon Llukës dhe Fitim Pajazitit. Pacolli deklaron se për këto pretendime do të publikojë dokumente dhe të dhëna që, sipas tij, i mbështesin akuzat.

Në fund të reagimit, biznesmeni shprehet se pret që çështjet e ngritura prej tij të zbardhen nga drejtësia në vendet ku, sipas tij, kanë ndodhur veprimet e pretenduara.

Akuzat e mësipërme përfaqësojnë pretendimet e bëra publikisht nga Behgjet Pacolli. Përgjegjësia për to dhe vërtetësia e tyre mbeten për t’u vlerësuar nga institucionet përkatëse dhe drejtësia.

“Të nderuar miq,

Ju kujtohet propaganda e padrejtë në dëm timin, të vëllait tim dhe të familjes time.

Ju kujtohen deklarimet pompoze të avokatit Besnik Berisha se Pacolli do të arrestohet;

Ju kujtohen deklarimet e opinionistëve dhe gazetarëve të motivuar ndryshe;

Ju kujtohen publikimet e Valon Ademit, me të cilat manipulohej opinioni, madje edhe gjyqtarët ( Fatmir Ndreu, Marjana Shegan dhe Miranda Nakaj)  lëshonin vendime joligjore ( te hedhura poshtë nga GjL ) që e shkatërruan projektin e VIA-s

Ju kujtohet propaganda rreth Delphosit dhe akuzat (edhe tani implikojne emra që nuk kanë asnjë lidhshmëri me projektin, madje as me Shqipërinë).

Ne e dimë mirë që Valon Ademi nuk ishte i vetëm.

Ai kishte komplicë jo vetëm Valon Llukën, ish-administratorin e VIA-s, njeri që, me mashtrimet dhe hajnitë e tij, sot për sot i ka shkaktuar dëme prej më shumë se qindra milionash kompanisë ku është ngritur dhe së cilës i është besuar për më shumë se 19 vite, por edhe eksponentë tjerë që abuzojne me forcen, tani të njohur për ne.

Sidoqoftë, i falënderoj organet e Prokurorisë që dëshmuan se për mua e as për vëllain tim asnjëherë nuk ishte ngritur asnjë hetim apo aktakuzë, edhe pse eksponentët që i njohim kishin tentuar ta ndalonin vëllain tim (pa urdhër zyrtar, pa arsye, por duke abuzuar me forcën politike).

Këto janë vetëm disa shantazhe e manipulime të poshtra.

Këtu nuk flas ende se nga ku u financua Valon Ademi për të kryer punët që pretendon se i ka kryer në Aeroportin e Vlorës (punë që për së dyti  u paguara nga kredia e BKT-së, kredi të cilën sot BKT-ja kërkon që të paguhet nga Mabco).

Shpresoj që MIE do të lejojë një auditim financiar, të cilin jemi duke e kërkuar që nga tetori i vitit të kaluar.

Do të flasim edhe për 30 kamionë që Valon Lluka dhe Valon Ademi i blenë me 14 milionë të Mabcos, i etiketuan me targetat Mabetex, dërguan fotografitë se ata erdhën dhe, në të njëjtën ditë, i shitën duke i inkasuar paratë për xhepat e tyre pa diturin dhe asnjë informatë per ne.

Do të flas edhe per abuzimet  e Valon Llukës që në të njejtën kohë drejtonte një funkcion tjetër publik delikat.

Do të flasim edhe për krimin me faturat miljanshe, false dhe urdhërin e Valon Llukes kontabilistës që të paguhën edhe pse mungonte deshmija për kryerjen e ndonjë pune.

Do të flas edhe për nje mashtrim tjetër të paautorizuar të Valon Llukes prej 2 miljan Euro ne dam te llogarise private timen që ai manexhonte në mirëbesim si dhe likuidimin e Mabetexit në Emirate në favor të tijë dhe Fitim Pajazitit.( do të publikoj faktet).

Por shpresoj që drejtësia, nëpër shtetet ku vepruan, një ditë do ta zbardhë këtë krime”, shkruan Pacolli.

Publikuar nga Publik Media