Revolucioni i flamingove duhet të dijë çfarë do të bëjë me kapitalin politik

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Nga Vehap Kola

Një sondazh i fundit, nxjerr Listën e Studentëve në Serbi formacionin e dytë më të madh politik në zgjedhjet e parakohshme. Partitë e opozitës pro-europiane kanë peshë të pallogaritshme.

Shembulli i tyre tregon diçka që çdo lëvizje shoqërore duhet ta mendojë seriozisht: protesta mund të krijojë energji, besim dhe mbështetje publike, por nëse nuk organizohet politikisht, në fund dikush tjetër do ta përkthejë atë energji në fuqi dhe pushtet.

Eshe studentët në Serbi po bëjnë protesta kundër Vuçiçit. Por nuk po bëjnë vetëm protesta. Ata po përpiqen të ndërtojnë një alternativë politike që nuk kontrollohet as nga pushteti nga partitë tradicionale të opozitës.

Ajo që ata po e thonë dhe revolucioni i flamingove po refuzon ta thotë është: “nëse ne kemi krijuar besimin, mbështetjen dhe energjinë qytetare, atëherë duhet të kemi edhe instrumentin politik që e përfaqëson atë”.

Nëse Flamingot mbeten vetëm një lëvizje proteste, atëherë mund të vazhdojnë të ushtrojnë presion, të ekspozojnë probleme, të mobilizojnë qytetarët dhe të krijojnë kosto politike për qeverinë.

Por kjo e ka një kufi. Në ditën e zgjedhjeve, vota duhet të shkojë diku. Nëse lëvizja nuk ka një përfaqësim të vetin, vota do të shkojë te partitë ekzistuese. Pra, flamingot mund të krijojnë kapital politik, por janë partitë ekzistuese që përfitojnë prej tij.

Ata në Serbi po përpiqen të mbajnë distancë nga opozita tradicionale dhe të ndërtojë një listë që lidhet drejtpërdrejt me lëvizjen. Kandidatët nuk duhet medoemos të jenë studentë. Mund të jenë profesorë, profesionistë, juristë, njerëz me reputacion publik. Kjo e ka bërë listën më të gjerë edhe se vetë protesta, por pa ia dorëzuar kontrollin strukturave të vjetra partiake.

Por, organizimi politik nuk do të thotë domosdoshmërisht krijimi i një partie klasike. Mund të nënkuptojë një listë qytetare. Mund të nënkuptojë një platformë zgjedhore. Mund të nënkuptojë një strukturë që zgjedh kandidatë të besueshëm, përcakton disa prioritete të qarta dhe hyn në garë pa u kthyer menjëherë në një parti të zakonshme.

Kjo është ndoshta pyetja që Flamingot duhet të shtrojnë: a duam vetëm të ndikojmë politikën, apo duam edhe ta përfaqësojmë politikisht atë që kemi krijuar? Nëse kjo pyetje nuk lejohet të shtrohet, do të vijmë shumë shpejt te pyetja: a duhet të vazhdojmë protestën?

Me mijëra njerëz në shesh dhe me zero njerëz në Parlament, mund të fitosh vetëm debatin publik, por jo fuqinë për të marrë vendime në të mirë të vendit.

Për Flamingot, kjo nuk do të thotë se duhet automatikisht të krijohet një parti. Por do të thotë se duhet të merret seriozisht problemi i organizimit.

Publikuar nga Publik Media