Zjarret përfshijnë pyjet në Fier dhe Elbasan, flakët rrezikojnë banesat

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Situata e zjarreve vijon të jetë problematike në disa zona të Fierit dhe Elbasanit, ku flakët kanë përfshirë sipërfaqe pyjore, ndërsa në një rast janë afruar rrezikshëm pranë banesave.

Në pyllin e Semanit, pranë grykëderdhjes së lumit, janë evidentuar dy vatra zjarri në pjesën veriore të zonës. Flakët po përparojnë drejt masivit me pisha, ndërsa era e fortë po favorizon përhapjen e zjarrit dhe po e bën më të vështirë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.

Shërbimet zjarrfikëse të Fierit kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për izolimin e vatrave, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve në sipërfaqet pyjore.

Një situatë më alarmante është regjistruar në Kodër Krastë, në periferi të Elbasanit, ku zjarri është afruar pranë zonës së banuar.

Dy banesa kanë qenë në rrezik të drejtpërdrejtë për shkak të avancimit të flakëve, duke shkaktuar shqetësim te banorët e zonës.

Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar tre mjete zjarrfikëse dhe 12 efektivë. Forcat në terren kanë punuar për rreth dy orë për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të larguar rrezikun nga banesat.

Ndërhyrja e zjarrfikësve ka bërë të mundur izolimin dhe më pas shuarjen e vatrës. Si pasojë e reagimit në kohë, flakët nuk arritën të përfshinin dy banesat që ndodheshin pranë zonës së përfshirë nga zjarri.

Ndërkohë, në pyllin e Semanit vijon puna për neutralizimin e plotë të vatrave, ndërsa kushtet atmosferike dhe veçanërisht era mbeten faktorë që favorizojnë përhapjen e zjarrit.

Publikuar nga Publik Media