Kush është Altin Arapi, dyshohet si ‘koka’ e rrjetit të drogës në Sarandë

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Një operacion i gjerë i Policisë së Sarandës kundër prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, si dhe armëmbajtjes pa leje, ka përfunduar me 20 persona të arrestuar.

Gjatë aksionit, një tjetër person është proceduar në gjendje të lirë, pasi, sipas policisë, ka kundërshtuar kontrollin në një dhomë hoteli ku janë gjetur armë.

Në mesin e personave të arrestuar ndodhet edhe 49-vjeçari Altin Arapi, alias Altin Demiri, i njohur edhe me pseudonimin “Boraqi”. Emri i tij është i njohur prej vitesh në Sarandë, ndërsa burime bëjnë me dije se ai dyshohet se ka pasur një rol të rëndësishëm në shpërndarjen e kokainës në zonë.

Altin Arapi, prej vitesh në vëmendjen e policisë

Sipas burimeve, Arapi prej vitesh ka qenë në vëmendjen e strukturave policore dhe dyshohet se është skeduar në lidhje me aktivitetin e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Në operacionin e fundit nuk janë identifikuar persona që të jenë kapur si bashkëpunëtorë të drejtpërdrejtë të tij. Megjithatë, sipas burimeve, emri i Arapit është lidhur prej kohësh me të paktën dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve është arrestuar më herët.

Burime të afërta me hetimin pretendojnë se policia e ka pasur të vështirë arrestimin e tij, pasi në disa raste dyshohet se Arapi ka pasur informacion paraprak për operacionet policore.

Një prej episodeve të përmendura është ai i 20 janarit 2022. Në atë kohë, policia tentoi ta ndalonte dhe kontrollonte Arapin, ndërsa gjatë ndërhyrjes ai dyshohet se ka bërë rezistencë dhe ka dëmtuar telefonin e tij. Kontrolli nuk rezultoi me gjetjen e lëndëve narkotike, ndërsa ai u arrestua për kundërshtim të punonjësve të policisë.

Emri i Arapit është përmendur edhe në një tjetër episod të vitit 2025, kur një 15-vjeçare u paraqit në Spitalin e Sarandës në gjendje të intoksikuar, pasi dyshohej se kishte konsumuar kokainë. Në kuadër të verifikimeve për këtë rast, një prej personave të marrë në pyetje ka qenë edhe Altin Arapi.

Arrestimi i tij për posedim të lëndëve narkotike rezulton të ketë ndodhur rreth tetë vite më parë. Në atë rast, ai u kap në Tiranë së bashku me dy persona të tjerë nga Saranda, me një sasi të vogël kokaine, dhe qëndroi për disa muaj në burg.

Një tjetër episod ku është përmendur emri i tij daton në janar 2021. Në atë periudhë, policia kreu një shoqërim në Delvinë, pasi kishte marrë informacion për një konflikt të mundshëm me Arapin dhe ndërhyri për ta parandaluar përplasjen.

Të arrestuarit me precedentë të mëparshëm

Përveç Altin Arapit, mes personave të arrestuar në kuadër të operacionit janë edhe disa shtetas që rezultojnë të kenë pasur më herët probleme me drejtësinë.

Feliks Filija, 27 vjeç, përmendet si person i afërt me Elvis Çaushllarin, alias “Vis Korçari”. Filija është arrestuar në vitin 2020 në Elbasan për veprat penale “vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, si dhe “armëmbajtje pa leje”.

Medi Myftaraj, 35 vjeç, është arrestuar në shtator 2017 në Skrapar. Sipas të dhënave të referuara në material, ai rezultonte i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg nga Gjykata e Vlorës për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Gjatë kontrollit të banesës, atij iu gjetën rreth 0.5 kilogramë cannabis sativa. Në mars 2023, Myftaraj është arrestuar edhe në Ksamil, ku iu gjet një tjetër sasi cannabis sativa.

Fabjo Berhamaj, 30 vjeç, është ekstraduar nga Gjermania në vitin 2016. Ai rezultonte i dënuar nga Gjykata e Fierit me 7 vite burg për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Në Sarandë, emri i tij është lidhur gjithashtu me një procedim për “kalim të paligjshëm të kufirit”.

Devis Saliaj, 22 vjeç, është arrestuar në shtator 2023 në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë, në kuadër të një grupi të dyshuar për shpërndarjen e cannabis sativa dhe kokainës. Ai është arrestuar përsëri në Tiranë në dhjetor 2025. Në qershor 2025, Saliaj ishte plagosur me thikë në zonën e “Ekualipsit” në Sarandë.

Erjon Dido, 41 vjeç, i njohur me pseudonimin “Macistja”, është arrestuar në tetor 2018 në Sarandë, pasi iu gjet një sasi cannabis sativa. Në dhjetor 2024, ai është proceduar për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, në kuadër të një grupi.

Dhimitër Terolli, 33 vjeç, i njohur me pseudonimin “Miçp Evgjiti”, rezulton të jetë arrestuar në disa raste nga policia, kryesisht për veprën penale të “vjedhjes”. Në një rast tjetër, ai është proceduar për “plagosje të lehtë me dashje”.

Nazif Refitaj, 24 vjeç, është arrestuar në vitin 2021 në Patos për “vjedhje të kryer në bashkëpunim”.

Operacioni i zhvilluar në Sarandë është pjesë e kontrolleve dhe hetimeve të policisë ndaj grupeve që dyshohet se merren me shpërndarjen e narkotikëve dhe armëmbajtjen pa leje. Për personat e arrestuar pritet të vijojë procedura gjyqësore, ndërsa hetimet do të përcaktojnë rolin konkret të secilit prej tyre në veprat penale për të cilat dyshohen.

Personat e përmendur në këtë material prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Publikuar nga Publik Media