Pas kallëzimit penal, magjistratët përshkallëzojnë betejën me qeverinë

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Zbulohet kallëzimi ndaj Petrit Malajt

Kërkohet bllokimi i thesarit për pagat

Përplasja mes magjistratëve dhe qeverisë duket se po hyn në një fazë të re dhe më të ashpër. Pas kallëzimit penal të depozituar ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, prokurorët pritet të ndërmarrin të martën një tjetër hap ligjor, duke kërkuar bllokimin e llogarive të thesarit për garantimin e pagave të tyre.

Ndryshe nga gjyqtarët, të cilët kanë zgjedhur rrugën e kallëzimit penal, prokurorët nuk do të depozitojnë një kallëzim të ri penal. Ata pritet t’i drejtohen gjykatës me një kërkesë për sigurimin e padisë, duke kërkuar më pas edhe ndërhyrjen e përmbarimit për bllokimin e fondeve të thesarit.

Qëllimi i kësaj procedure është sigurimi i pagave të magjistratëve, në një kohë kur konflikti për trajtimin financiar të tyre është përshkallëzuar ndjeshëm.

Përballja me qeverinë hyn në fazë kritike

Zhvillimet e fundit tregojnë se beteja mes magjistratëve dhe qeverisë nuk kufizohet më vetëm te deklaratat publike apo përplasjet politike.

Pavarësisht qëndrimeve të shprehura nga ministri Toni Gogu, magjistratët po ndjekin një sërë hapash juridikë për të mbrojtur kërkesat e tyre, duke e çuar çështjen drejt institucioneve gjyqësore.

Në këtë fazë nuk përjashtohet as përdorimi i mekanizmave të tjerë ligjorë, përfshirë mundësinë e kërkesave për masa sigurie personale ndaj zyrtarëve, nëse zhvillimet e mëtejshme do ta diktojnë një veprim të tillë.

Kështu, përplasja për pagat dhe statusin financiar të magjistratëve po merr përmasa gjithnjë e më të forta institucionale, ndërsa beteja tashmë pritet të zhvendoset në gjykata.

Hapi i paralajmëruar nga prokurorët për bllokimin e llogarive të thesarit përbën një zhvillim të rëndësishëm në këtë përplasje dhe mund të sjellë një tjetër përshkallëzim mes sistemit të drejtësisë dhe ekzekutivit.

Publikuar nga Publik Media