Shifrat tronditëse: 11 mijë të vrarë nga konfliktet për pronat në Shqipëri

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Eksperti i sigurisë Fatjon Softa ka komentuar përplasjen e fundit mes dy biznesmenëve në Vlorë, duke e lidhur konfliktin me një problem shumë më të gjerë që, sipas tij, ka shoqëruar Shqipërinë prej dekadash: përplasjet për pronësinë.

Duke iu referuar konfliktit në Radhimë, Softa tha se kjo ngjarje duhet parë si vetëm një pjesë e një problematike shumë më të madhe që lidhet me pronat në vend.

Sipas tij, që prej fillimit të periudhës së demokracisë e deri më sot, rreth 10-11 mijë persona mund të kenë humbur jetën si pasojë e konflikteve të pronës. Eksperti sqaroi se kjo është shifra që ka hasur në të dhënat që ka kërkuar, duke nënvizuar përmasat e mëdha që, sipas tij, ka marrë konflikti mbi pronësinë.

“Radhima ishte maja e ajsbergut të problematikave që ka për pronat. Në qoftë se do kërkojmë statistika, nuk e di, mundohesh të kërkosh, po të paktën aq sa gjeta janë rreth 10.000-11.000 të vrarë vetëm për konfliktet me pronën, nga fillimi i demokracisë dhe deri në ditët e sotme”, deklaroi Softa.

Konfliktet e pronave kanë përçarë familje dhe fise

Eksperti i sigurisë u ndal edhe te pasojat sociale që kanë prodhuar mosmarrëveshjet mbi pronësinë.

Sipas tij, konfliktet për tokën dhe pronat nuk janë kufizuar vetëm në përplasje individuale, por në raste të ndryshme kanë shkaktuar çarje brenda familjeve, konflikte mes fiseve dhe përplasje të rënda mes grupeve me interesa ekonomike.

Softa argumentoi se edhe konfliktet mes bizneseve të mëdha mund të kenë në thelb çështje pronësie, ndërsa përplasjet mund të shfaqen në forma të ndryshme dhe jo gjithmonë drejtpërdrejt.

“11.000 të vrarë në Shqipëri nga prona, problemet e pronës. Janë prishur familje të tëra për konflikte me pronën, janë prishur fise. Kemi konflikte të cilat kulmojnë midis dy bizneseve të mëdha në konflikt, prapë përsëri për pronën, dhe konflikte të tjera të cilat kanë ndodhur prapë në mënyrë indirekte kanë përsëri problemin e pronës”, u shpreh ai.

“Problemi i pronës ende nuk është zgjidhur”

Në vijim të analizës së tij, Softa e cilësoi çështjen e pronës si një prej problemeve madhore që Shqipëria vazhdon ta mbartë edhe sot.

Sipas tij, shteti dhe shoqëria shqiptare nuk kanë arritur ende të gjejnë një zgjidhje përfundimtare për problematikat e pronësisë, duke krijuar terren për konflikte të reja sa herë që vlera ekonomike e tokës rritet.

“Kështu që ky është një problem madhor që ne ende nuk e zgjidhëm si shtet, nuk e zgjidhëm si shoqëri dhe vazhdojmë ta mbartim këtë gjë”, tha eksperti.

Ai theksoi se situata bëhet edhe më e ndërlikuar kur pronat kanë vlera të konsiderueshme dhe mbi to ndërthuren interesa të ndryshme ekonomike.

Sipas Softës, historia e pronësisë në Shqipëri është shoqëruar me pretendime të shumta mbi tokën, ndërsa edhe pronat shtetërore janë kthyer ndër vite në objekt interesash të ndryshme.

“Nuk besoj se ka pasur 1 cm tokë në këtë vend, përveç tokës shtetërore, që të mos ketë pasur një pronar. Dhe për tokën shtetërore pastaj kanë nisur interesat e grupeve dhe të interesave të politikave ndër vite”, deklaroi ai.

Në përfundim, eksperti e lidhi pikërisht këtë histori të gjatë të konflikteve mbi pronësinë me përplasjet që shfaqen edhe sot, duke argumentuar se problemi i pazgjidhur i pronave vazhdon të prodhojë konflikte me pasoja të rënda sociale dhe ekonomike.

Publikuar nga Publik Media