Në vorbullën e debatit të lindur mes magjistratëve dhe Ministrisë së Financave, për çështjen e rritjes së pagave nga muaji gusht 2026 e në vijim për gjyqtarët dhe prokurorët, tashmë në këtë konflikt ka hyrë dhe Niko Peleshi, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se, përmes një shkrese që mban datën 2 shtator 2026, Niko Peleshi njofton Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor se në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar një projektligj që bën fjalë: “…Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016…”, i cili lidhet me statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Përmes këtij projektligji, që, siç rezulton në Kuvend, është depozituar nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste në datën 30 korrik 2026, synohet të miratohen disa ndryshime në ligj, me qëllim rritjen e rrogës mujore për gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe marrjen e pagesave mujore të prapambetura për këtë kategori.
Ndërsa dy deputetët që kanë bërë propozimin rezultojnë të jenë Aulona Bylykbashi dhe Admir Kadeli. Projektligji parashikon një rritje të pagesës për gjyqtarët dhe prokurorët, por jo sa e ka përllogaritur KLP-ja dhe KLGJ-ja. Çka do të sjellë një përplasje të re në gjykatë mes Unionit të Gjyqtarëve dhe Qeverisë.
Tashmë, përmes kësaj lëvizjeje, qeveria e kryeministrit Edi Rama dhe Kuvendi i Shqipërisë nxjerrin “NUL” dhe bëjnë të pazbatueshëm dy vendimet e marra në muajin gusht 2026 nga KLGJ dhe KLP, që caktonin referencat e reja të pagës mujore për një prokuror dhe gjyqtar.
Mësohet se, së bashku me projektligjin, 3 institucioneve më të larta të Drejtësisë Shqiptare, Gjykatës Kushtetuese, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i është përcjellë dhe relacioni shoqërues.
Në relacion thuhet shprehimisht se: “…me miratimin e këtij projektligji, Kuvendi zbaton një nga detyrimet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të plotësuar ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me norma të cilat garantojnë përllogaritjen e pagës së magjistratëve, gjyqtarë dhe prokurorë, në përputhje me vendimin e Gjykatës…”.
Më poshtë, relacioni sqaron se: ”…me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese ka detyruar shprehimisht Kuvendin të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme, sipas arsyetimit të këtij vendimi, brenda datës 31 korrik 2026. Për rrjedhojë, ky projektligj është përgjigjja ligjvënëse ndaj këtij detyrimi kushtetues brenda afatit të përcaktuar…”.
Pra, vetëm përmes kësaj lëvizjeje, Kuvendi i Shqipërisë “de facto” dhe “de jure” kërkon të sqarojë se është ai institucioni që ka ekskluzivitetin e rritjes së pagave mujore për gjyqtarë dhe prokurorë dhe jo KLGJ dhe KLP.
Në këtë drejtim, të gjitha vendimet e marra nga KLP dhe KLGJ janë të papërdorshme, pasi përllogaritja e pagave të reja të gjyqtarëve dhe prokurorëve tashmë do të bëhet nga Kuvendi përmes një projektligji të iniciuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste.
Prej datës 2 shtator 2026, ky projektligj i është çuar për marrje mendimi Gjykatës Kushtetuese, KLGJ-së dhe KLP-së dhe, derisa të diskutohet dhe në Komisionin e Ligjeve dhe miratohet në Kuvend, afati kohor për zbatim do të shkojë në muajin nëntor ose dhjetor.
Nga ana tjetër, mësohet se Unioni i Gjyqtarëve pritet të përgatisë një tjetër padi, për ta kundërshtuar këtë lëvizje të mazhorancës qeverisëse në Gjykatë.
Ndërkohë, qysh prej datës 1 shtator 2026, gjyqtarë, prokurorë dhe administrata civile, si kancelarë, sekretare gjyqësore, arkiviste, shoferë, kryesekretare dhe burime të tjera njerëzore që shërbejnë në prokurori dhe gjykata, nuk kanë marrë rrogën e muajit gusht, pasi ato janë bllokuar në Thesarin e Shtetit nga Ministria e Financave.
Përjashtim kanë bërë vetëm Prokuroria e Posaçme SPAK, Gjykata Kushtetuese dhe Shkolla e Magjistraturës, të cilat ndryshe nga institucionet e tjera, kanë çuar referencat e vjetra të pagës mujore dhe Ministria e Financave nuk ka marrë asnjë masë bllokimi ndaj tyre.
Projektligji
Sipas projektligjit të siguruar nga gazetari Elton Qyno, në Nenin 1 të tij thuhet se: “…me miratimin e këtij projektligji Kuvendi zbaton një nga detyrimet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të plotësuar ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me norma të cilat garantojnë përllogaritjen e pagës së magjistratëve (gjyqtarë dhe prokurorë), në përputhje me vendimin e Gjykatës. Me këtë vendim Gjykata ka detyruar shprehimisht Kuvendin të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme, sipas arsyetimit të këtij vendimi, brenda datës 31 korrik 2026. Për rrjedhojë, ky projektligj është përgjigjja ligjvënëse ndaj këtij detyrimi kushtetues brenda afatit të përcaktuar…”.
Ndërsa Pika 4 e projektligjit thotë se duhet të ndryshohet si vijon:
Për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, shtesa për vjetërsi llogaritet në masën 2 përqind të pagës referuese bazë për çdo vit të përvojës profesionale juridike të njohur si kusht për emërimin në këtë detyrë, por jo më shumë se 25 vjet”.
Në pikën 5, shkronja “a”, fjalia e parë ndryshon si më poshtë:
“a, paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.38 me pagën e Presidentit të Republikës. Paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë indeksohet me vendim të Këshillit të Ministrave jo më vonë se dy vjet nga indeksimi i fundit. Niveli i indeksimit në çdo rast nuk kalon një pikë përqindjeje mbi nivelin e targetuar të inflacionit nga Banka e Shqipërisë”.
Në pikën 5, shkronja “d”, ndryshon si më poshtë:
Shtesë për vështirësi pune, në masën 80 përqind të pagës bruto fillestare, për magjistratët që ushtrojnë funksionin pranë Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Gjykatës së Shkallës së Parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për Prokurorin e Përgjithshëm, si dhe për gjyqtarët që ushtrojnë funksionin në Gjykatën e Lartë”.
Në pikën 5, pas shkronjës “d”, shtohet shkronja “dh” me përmbajtjen si më poshtë:
“dh. shtesë për funksionin në masën 5 përqind të pagës bruto fillestare, për Prokurorin e Përgjithshëm, si dhe për gjyqtarët që ushtrojnë funksionin në Gjykatën e Lartë”.
Pas pikës 5 shtohet pika 6 me përmbajtjen si më poshtë:
Shtesat e parashikuara në shkronjat “d” dhe “dh” të pikës 5 të këtij neni, përtej gjyqtarëve që ushtrojnë funksionin përkatës, sjellin efekte vetëm për pagën e anëtarëve dhe kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, sipas referencës në nenin 17 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, i ndryshuar. Këto shtesa nuk gjejnë zbatim për funksionarët e tjerë publikë, kur pagat e tyre referojnë te paga e gjyqtarit ose kryetarit të Gjykatës së Lartë, apo e Prokurorit të Përgjithshëm./Elton Qyno







