Gjyqtarët dhe prokurorët në alarm, reagojnë në bllok për pagat

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kanë reaguar për mos-ekzekutimin e pagave të magjistratëve, funksionarëve të drejtësisë dhe punonjësve të administratës gjyqësore e prokurorisë.

Në një deklaratë të përbashkët, tri organizatat shprehen të shqetësuara për mënyrën se si institucionet përgjegjëse po justifikojnë bllokimin e pagesave dhe kërkojnë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese i kishte lënë Kuvendit afat deri më 31 korrik 2026 për miratimin e ndryshimeve të nevojshme ligjore. Organizatat theksojnë se në vendimin nr. 15/2026 është parashikuar edhe mekanizmi që duhet të zbatohet në rast se Kuvendi nuk vepron brenda afatit.

Pas përfundimit të këtij afati, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) kanë miratuar vendimet përkatëse për llogaritjen e pagave.

Por, sipas organizatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, urdhërpagesat nuk janë ekzekutuar.

Pikërisht këtu është përqendruar një pjesë e rëndësishme e reagimit të tyre. Ata kundërshtojnë kërkesën që pagat të përllogariten sipas formulës së mëparshme, duke argumentuar se edhe Ministria e Drejtësisë ka pranuar se kjo formulë tashmë është shfuqizuar.

“Si mund të kërkohet zbatimi i një formule që vetë institucionet e konsiderojnë të shfuqizuar?”, është në thelb pyetja që ngrihet në deklaratë.

Sipas tri organizatave, Ministria e Financave i ka kërkuar KLGJ-së dhe KLP-së që t’i dërgojnë Drejtorisë së Thesarit urdhërpagesat e llogaritura sipas formulës së mëparshme.

Ndërkohë, sipas deklaratës, Ministri i Drejtësisë ka pranuar se formula e vjetër nuk është më në fuqi dhe se për situatën e krijuar nevojitet ndërhyrja e Kuvendit.

Kjo, sipas gjyqtarëve dhe prokurorëve, krijon një kontradiktë ligjore që duhet sqaruar.

“Mosveprimi i Kuvendit nuk mund të pezullojë Kushtetuesen”

Tri organizatat argumentojnë se mosmiratimi i ndryshimeve ligjore brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese nuk mund të përdoret si arsye për të mos zbatuar efektet e vendimit.

Sipas tyre, nëse mosveprimi i Kuvendit do të mund të pezullonte efektet e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, atëherë do të krijohej një situatë ku një pushtet mund të shtynte në mënyrë faktike një afat të përcaktuar nga një tjetër organ kushtetues.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se vendimet e KLGJ-së dhe KLP-së, për sa kohë nuk janë goditur gjyqësisht, konsiderohen akte në fuqi dhe, sipas organizatave, duhet të respektohen dhe ekzekutohen.

Një tjetër çështje e ngritur është nisma e re ligjvënëse e depozituar nga dy deputetë të Kuvendit.

Gjyqtarët dhe prokurorët kërkojnë që kjo nismë të mos përdoret si argument për shtyrjen e pagesave, pasi sipas tyre detyrimi për zbatimin e vendimit kushtetues nuk mund të mbetet pezull deri në miratimin e një ligji të ri.

Kërkesat e gjyqtarëve dhe prokurorëve

Në fund të deklaratës së tyre, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kërkojnë:

  • Ekzekutimin e menjëhershëm të pagave të magjistratëve dhe moskushtëzimin e tyre me miratimin e një ligji të ri;
  • Sqarimin nga Ministria e Financave të bazës ligjore mbi të cilën kërkohet përdorimi i formulës së mëparshme;
  • Zbatimin e vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese dhe të mekanizmit të përcaktuar prej saj për periudhën pas 31 korrikut;
  • Ekzekutimin e vendimeve të KLGJ-së dhe KLP-së, për sa kohë ato janë në fuqi;
  • Garantimin që çdo ndërhyrje e ardhshme ligjore të mos sjellë një rezultat më të pafavorshëm sesa standardi i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë kërkojnë kështu një zgjidhje të menjëhershme të situatës së krijuar, duke argumentuar se pagat e magjistratëve dhe administratës së drejtësisë nuk mund të mbeten peng i një procesi të ri ligjvënës.

Deklarata e përbashkët e Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve:

Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve shprehin shqetësimin e tyre të thellë për vijimin e mosekzekutimit të pagave të magjistratëve, funksionarëve të organeve të sistemit të drejtësisë dhe të personelit të administratës gjyqësore dhe asaj të prokurorisë, si dhe për mënyrën se si po justifikohet kjo situatë nga institucionet përgjegjëse. Gjykata Kushtetuese i kishte lënë Kuvendit afat deri më 31 korrik 2026 për miratimin e ndryshimeve ligjore dhe jo thjesht për depozitimin e nismave për ndryshime të tilla. Në paragrafin 110 të vendimit nr. 15/2026, Gjykata parashikoi shprehimisht edhe situatën e mosveprimit të Kuvendit, duke referuar mekanizmin e llogaritjes te funksionari i administratës së lartë publike. Pas përfundimit të këtij afati, KLGJ dhe KLP kanë marrë vendimet përkatëse për konkretizimin e llogaritjes së pagave. KLGJ dhe KLP nuk kanë marrë kompetencën e Kuvendit për të bërë politikë pagash, ata kanë konkretizuar pasojat e një vendimi kushtetues pasi afati i vendosur për ligjvënësin kishte përfunduar. Pas bllokimit të paprecedentë të pagesave të përllogaritura sipas formulës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, Ministri i Financave i ka kërkuar zyrtarisht KLGJ-së dhe KLP-së që t’i dërgojnë Drejtorisë së Thesarit urdhërpagesat e llogaritura sipas formulës së mëparshme. Ndërkohë, Ministri i Drejtësisë ka pranuar publikisht sot se kjo formulë është tashmë shfuqizuar dhe se për plotësimin e këtij “boshllëku” duhet të ndërhyjë Kuvendi. Këtu qëndron një kontradiktë që nuk mund të anashkalohet: nëse formula e vjetër është shfuqizuar, mbi çfarë baze ligjore kërkohet nga KLGJ dhe KLP që t’i dërgojnë Drejtorisë së Thesarit urdhërpagesa të llogaritura pikërisht mbi atë formulë?

Situata është mëse e qartë. Pas datës 31 korrik 2026, nuk mund të kërkohet zbatimi i një formule që Këshilli i Ministrave, përmes Ministrit të Drejtësisë, pranon publikisht se nuk është më në fuqi, ndërkohë që të lihet pa zbatuar mekanizmi i përcaktuar nga vetë Gjykata Kushtetuese. Po aq e rëndësishme është se vendimet e KLGJ-së dhe KLP-së, për sa kohë nuk janë goditur gjyqësisht, janë akte në fuqi dhe duhet të respektohen e të ekzekutohen nga institucionet përgjegjëse. Edhe nisma e re ligjvënëse e depozituar nga dy deputetë të Kuvendit duhet të vlerësohet me shumë seriozitet, si për faktin se ndryshimet ligjore kërkohen të miratohen dukshëm pas përfundimit të afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, ashtu edhe për përmbajtjen e projektligjit. Kjo nismë nuk mund të përdoret për të justifikuar bllokimin e pagave sot. Ekzekutimi i pagave të magjistratëve nuk mund të mbetet peng i pritjes për një ligj të ri, apo i mosveprimit të Kuvendit. Ndryshimi ligjor që Kuvendi duhej të miratonte deri më 31 korrik 2026 ishte detyrim për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, jo një kusht nga i cili varej pafundësisht hyrja në fuqi e efekteve 2 të tij. Vetë Gjykata përcaktoi se efektet e shfuqizimit hynin në fuqi, në çdo rast, jo më vonë se 31.07.2026, dhe parashikoi mekanizmin konkret që do të zbatohej në rast mosveprimi të Kuvendit.

Prandaj, pretendimi se pas 31 korrikut duhet të pritet sërish miratimi i ligjit do të thotë t’i jepet Kuvendit, përmes mosveprimit të tij, fuqia për të shtyrë një afat të vendosur nga Gjykata Kushtetuese. Mosveprimi i Kuvendit nuk mund të shndërrohet në një veto faktike ndaj efekteve të një vendimi kushtetues. Nëse pranohet që mosveprimi i një pushteti mund të pezullojë efektet e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, atëherë vihet në diskutim vetë autoriteti i Kushtetutës.

Për këto arsye, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kërkojnë:

– Ekzekutimin e menjëhershëm të pagave të magjistratëve dhe jo kushtëzimin e tyre me miratimin e një ligji të ri;

– Që Ministria e Financave të sqarojë se mbi çfarë baze ligjore kërkon zbatimin e një formule që tashmë pranohet se është shfuqizuar;

 – Respektimin e vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese dhe zbatimin e mekanizmit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për periudhën pas 31 korrikut 2026;

– Ekzekutimin e vendimeve të KLGJ-së dhe KLP-së, për sa kohë janë akte në fuqi;

– Që çdo ndërhyrje ligjore e Kuvendit duhet, në mënyrë të qartë dhe pa ekuivok, të mos prodhojë një rezultat më të pafavorshëm se standardi i vendosur tashmë nga Gjykata Kushtetuese

Publikuar nga Publik Media