Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka bërë publik arsyetimin e vendimit për Julide Yazicin, shtetasen turke 32-vjeçare që do të vijojë të qëndrojë në paraburgim në kuadër të procedurës së ekstradimit drejt Turqisë.
Yazici u arrestua më 5 gusht në Rinas, pasi rezultonte e kërkuar nga autoritetet turke. 32-vjeçarja është bërë e njohur për angazhimin e saj publik kundër presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe prej disa vitesh kishte statusin e azilantes në Francë.
Në Turqi, ajo është dënuar me 4 vite e 2 muaj burg, pas vendimeve të dy shkallëve të gjyqësorit, për veprat penale të lidhura me “dhënien e ndihmës logjistike për organizatë terroriste” dhe “pjesëmarrjen në organizatë terroriste”.
Apeli: Ekziston rreziku i largimit
Në qendër të arsyetimit të Gjykatës së Apelit qëndron vlerësimi se, nëse do të lirohej nga paraburgimi, ekzistonte një rrezik real që Yazici t’i shmangej procedurës së ekstradimit.
Gjykata vlerëson se 32-vjeçarja kishte dijeni për procedimin penal që zhvillohej ndaj saj në Turqi. Për këtë arsye, autoritetet gjyqësore shqiptare kanë konsideruar se masa e sigurimit duhej të vijonte të zbatohej deri në zhvillimin e mëtejshëm të procedurës.
Në arsyetimin e saj, Apeli bën dallimin mes rrezikut të largimit gjatë një procedimi penal dhe rrezikut të shmangies nga një procedurë ekstradimi.
“Nëse gjatë fazës së hetimit apo gjykimit rreziku lidhet me shmangien nga hetimi ose gjykimi, në rastin konkret rreziku aktual lidhet me shmangien nga procedura e ekstradimit dhe nga dorëzimi tek autoritetet e shtetit kërkues për ekzekutimin e dënimit”, arsyeton gjykata.
Mbrojtja kërkoi arrest në shtëpi
Gjatë shqyrtimit të çështjes në Apel, mbrojtja e Yazicit kërkoi zëvendësimin e paraburgimit me masën “arrest në shtëpi”.
Megjithatë, kjo kërkesë nuk është pranuar nga gjykata. Apeli ka vlerësuar se masa alternative nuk do të garantonte një mbikëqyrje të mjaftueshme dhe efektive të 32-vjeçares gjatë kohës që vijon procedura e ekstradimit.
Në këtë mënyrë, gjykata ka lënë në fuqi masën e paraburgimit për qëllime ekstradimi, duke e lidhur vendimin kryesisht me nevojën për të garantuar praninë e Yazicit dhe për të shmangur mundësinë e largimit të saj.
Yazici: Në Turqi rrezikoj persekutim për bindjet politike
Nga ana tjetër, gjatë seancës në Gjykatën e Apelit, Julide Yazici ka kundërshtuar mundësinë e ekstradimit drejt Turqisë.
32-vjeçarja ka pretenduar se kthimi në Turqi do ta ekspozonte ndaj persekutimit, diskriminimit dhe trajtimit të padrejtë, për shkak të bindjeve të saj politike dhe pjesëmarrjes në protesta kundër qeverisë.
Yazici ka argumentuar gjithashtu se nuk kishte pasur dijeni për vendimin e fajësisë të dhënë nga gjykata turke.
Çështja tashmë vijon në kuadër të procedurës shqiptare të ekstradimit, ndërsa vendimi i Apelit përcakton se, në këtë fazë, paraburgimi mbetet i nevojshëm për të garantuar që 32-vjeçarja të mos i shmanget procesit dhe dorëzimit të mundshëm te autoritetet turke.







