Tragjedi në Lëpushë, 40-vjeçari bie në humnerë dhe humb jetën

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Lëpushë të Kelmendit, në Malësinë e Madhe, ku një 40-vjeçar ka humbur jetën pas një rënieje në një humnerë.

Sipas të dhënave paraprake të Policisë, rreth orës 10:52 është marrë njoftimi për një person që dyshohej se kishte rënë në një humnerë në fshatin Lëpushë.

Bëhet fjalë për shtetasin me inicialet F. S., rreth 40 vjeç. Pas marrjes së informacionit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes për të verifikuar situatën.

Në vendngjarje, uniformat blu kanë konstatuar se 40-vjeçari kishte pësuar dëmtime të rënda si pasojë e rënies dhe, për shkak të plagëve të marra, kishte ndërruar jetë.

Për dokumentimin e plotë të rastit është ngritur edhe grupi hetimor, i cili ka nisur veprimet procedurale për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes dhe mënyrën se si ka ndodhur rënia fatale.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Publikuar nga Publik Media