Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka deklaruar se çështja e pagave të gjyqtarëve pritet të marrë zgjidhje në Kuvend me nisjen e sesionit të ri parlamentar.
Në një prononcim për mediat, Gogu tha se boshllëku ligjor i krijuar pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese do të adresojë ditën e martë, kur deputetët rikthehen në Kuvend për nisjen e sesionit të ri.
Sipas ministrit, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar dispozitën përkatëse, duke lënë pa përcaktuar formulën dhe autorizimin e nevojshëm ligjor për zbatimin e pagave. Për këtë arsye, Ministria e Financave nuk mund të ndërmarrë veprime për zbatimin e vendimit pa një bazë të qartë ligjore.
“Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi, në mungesë të formulës dhe autorizimit ligjor. Ministri i Financave nuk mund ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo mospërputhje duhet të plotësohet tërësisht aty ku Kushtetuesja e ka përcaktuar se duhet të zbatohet”, deklaroi Gogu.
Ministri theksoi se në ndryshimet ligjore nuk duhet të mbetet hapësirë për paqartësi apo interpretime të ndryshme, duke paralajmëruar se ndërhyrja do të bëhet menjëherë me nisjen e punimeve parlamentare.
“Në ligj nuk duhet të ketë asnjë ekuivok. Të martën ky boshllëk ligjor do të plotësohet, me nisjen e sesionit të ri parlamentar”, u shpreh ai.
Gogu hodhi poshtë gjithashtu idenë se zgjidhja e situatës duhet të vijë përmes një përplasjeje institucionale. Sipas tij, përgjigjja duhet të gjendet përmes ndërhyrjes së Kuvendit dhe plotësimit të kuadrit ligjor.
“Zgjidhja nuk është përplasja e institucioneve, por në Kuvend në ditët e ardhshme, që pritet të jenë ditë të ngarkuara pune”, tha ministri i Drejtësisë.
Çështja e pagave të gjyqtarëve pritet kështu të jetë një nga temat që do të trajtohen në ditët e para të sesionit të ri parlamentar, me synim eliminimin e paqartësisë ligjore dhe krijimin e bazës së nevojshme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.







