Filipe Luis befasoi me deklaratën për Luis Enriquen pas fitores ndaj PSG-së

11:45 | 6 Shtator 2026
D.H

Trajneri i AS Monaco, Filipe Luis, ka folur me superlativa për Luis Enriquen pas fitores dramatike 2 me 1 ndaj Paris Saint Germain.

Skuadra e Monacos realizoi një përmbysje të madhe në Parc des Princes, pasi ishte në disavantazh pas pjesës së parë. Pas një 45-minutëshi të vështirë, mysafirët bënë ndryshimet e duhura taktike dhe arritën ta përmbysnin rezultatin.

Portieri Lukas Hradecky ishte një nga heronjtë kryesorë të Monacos, me disa pritje vendimtare që e mbajtën skuadrën në lojë. Megjithatë, pas ndeshjes, Filipe Luis preferoi të fliste për homologun e tij te PSG, Luis Enrique.

“Na u desh të vuajmë në pjesën e parë, por lojtarët treguan guxim dhe zbatuan me përpikëri detyrat taktike ndaj një skuadre të nivelit shumë të lartë. Kjo na ndihmoi ta përmbysnim ndeshjen”, deklaroi Filipe Luis.

Në konferencën për media pas ndeshjes, trajneri brazilian zbuloi edhe ndikimin e madh që Luis Enrique ka pasur në karrierën e tij si trajner.

“Luis Enrique është një nga trajnerët më të mirë në histori. E pranoj se kam marrë shumë prej metodave të tij të stërvitjes dhe i kam përshtatur në mënyrën time të punës”, tha ai.

Filipe Luis foli edhe për aspektin taktik të ndeshjes dhe mënyrën se si Monaco arriti t’i përballonte presionin kampionëve në fuqi.

Trajneri brazilian shpjegoi se skuadra e tij fillimisht tentoi të luante me presing të lartë, por cilësia e PSG-së bëri që kjo strategji të mos funksiononte për një kohë të gjatë.

“U përpoqëm të bënim presing të lartë, por i paralajmërova lojtarët se cilësia e PSG-së do ta thyente atë. Për këtë arsye duhej të duronim duke mbrojtur në bllokun e mesëm dhe të ulët”, shpjegoi Filipe Luis.

Pavarësisht fitores së madhe në Paris, trajneri i Monacos mbetet i fokusuar te ndeshjet e radhës dhe nuk dëshiron të bëjë plane afatgjata.

Fitorja i jep Monacos një shtysë të madhe, ndërsa PSG vazhdon të kërkojë zgjidhje pas një fillimi të vështirë të sezonit në kampionat.

Shpërndaje në rrjete sociale