Atletico zbulon prapaskenat e çështjes Julian Alvarez, sulm i ashpër ndaj Barcelonës

11:00 | 6 Shtator 2026
D.H

Shumë është folur dhe shkruar për çështjen e Julian Alvarez gjatë kësaj vere. Shumë njerëz pretenduan se e dinin të vërtetën, ndërsa situata u shtrembërua deri në atë pikë sa kaloi çdo kufi.

Në fund, afati kalimtar u mbyll dhe u realizua ajo që Miguel Ángel Gil e kishte përsëritur publikisht në katër raste: Atletico Madrid nuk ka negociuar asnjëherë me Barcelona për Julian Alvarez dhe sulmuesi argjentinas ka mbetur pjesë e skuadrës madrilene.

Kjo strategji e klubit, e mbështetur që nga fillimi edhe nga aksionarët kryesorë, të udhëhequr nga Apollo Sports Capital, u ruajt gjatë gjithë kësaj periudhe, pavarësisht raportimeve të shumta që sugjeronin një skenar krejt tjetër.

Por, pse Atletico Madrid qëndroi kaq i vendosur dhe refuzoi të negocionte me Barcelona?

Klubi madrilen ka bërë të qartë se mënyra e tij e veprimit dhe e negociimit bazohet në disa vlera themelore dhe në etikën profesionale. Sipas drejtuesve të Atletico, transparenca, respekti mes institucioneve dhe koherenca duhet të udhëheqin si drejtimin strategjik, ashtu edhe punën e përditshme të klubit.

Atletico nuk kundërshton në parim bisedimet dhe negociatat me asnjë klub. Drejtuesit insistojnë se kjo nuk ka të bëjë me egon dhe as me ndonjë çështje personale, siç është pretenduar në disa raste. Për ta, gjithçka lidhet me një “çështje parimesh, respekti dhe të bërit gjërat siç duhet”.

Sipas klubit, nëse një futbollist që është pjesë e planeve të Atletico nuk ndihet mirë në skuadër, fillimisht duhet vlerësuar situata dhe të tentohet gjetja e një zgjidhjeje. Por nëse lojtari vendos të kërkojë një tjetër destinacion për të vazhduar karrierën, atëherë klubi përcakton vlerën e tij në treg dhe kërkon transparencë të plotë nga klubi i interesuar dhe përfaqësuesi i futbollistit.

Nëse këto kushte nuk respektohen, Atletico ndërpret menjëherë çdo lloj bisede. Nga ai moment, çdo përpjekje për të ushtruar presion ndaj klubit përballet me një refuzim të prerë.

Drejtuesit e Atletico besojnë se transparenca dhe koherenca krijojnë kushtet për negociata të drejta dhe në përputhje me vlerat e tregut. Megjithatë, sipas tyre, Barcelona ka vepruar në mënyrë krejt të kundërt.

Në Madrid pretendojnë se Barcelona ka negociuar në prapaskenë pa dijeninë e Atletico, është drejtuar te lojtari para përballjeve direkte mes dy skuadrave sezonin e kaluar, ka përcjellë mesazhe të pavërteta përmes zërave të afërt me klubin dhe ka përdorur strategji që, sipas drejtuesve të Atletico, nuk përputhen me mënyrën se si duhet të zhvillohet një negociatë.

Qëndrimi i Atletico Madrid ka qenë i prerë gjatë gjithë kësaj sage. Në zyrat e klubit madrilen, ajo që ka ndodhur gjatë kësaj vere është cilësuar si “një sulm shumë i ulët nga të gjitha drejtimet”.

Sipas drejtuesve të Atletico, Barcelona ka vepruar në mënyrë të papranueshme nga fillimi deri në fund. Ata pretendojnë se Barcelona e ka ditur se me këtë qasje nuk do të arrinte asgjë, por pavarësisht kësaj ka vazhduar deri në ditën e fundit.

Përplasja mes dy klubeve ka lënë pasoja të mëdha në marrëdhëniet mes tyre.

Ndërkohë, Atletico po punon për ta rikthyer sa më shpejt Julian Alvarez në gjendjen e tij normale. Në klub besojnë se sulmuesi argjentinas “është përdorur dhe mashtruar” gjatë gjithë kësaj situate, pavarësisht se ai ka ruajtur një sjellje profesionale dhe të përkushtuar.

“Edhe ai, ashtu si ne, e ka kaluar shumë keq gjithë këtë situatë, e ushqyer nga shumë informacione të rreme dhe me qëllime të këqija”, kanë deklaruar nga Atletico./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale