Juventusi heq dy emra nga lista e Serie A, Zhegrova mbetet i paprekur

10:52 | 6 Shtator 2026
D.H

Edon Zhegrova do të jetë pjesë e listës së Juventusit për ndeshjet e Serie A.

Ylli i Kosovës mbeti jashtë listës së Juventusit për Europa League, por situata është ndryshe sa i përket kampionatit italian, ku Zhegrova do të jetë në dispozicion të trajnerit Luciano Spalletti.

Në Itali ditët e fundit kishte raportime se Zhegrova mund të mbetej jashtë edhe listës së Serie A. Megjithatë, Juventus ka marrë një tjetër vendim.

Sipas raportimeve nga Italia, bardhezinjtë kanë vendosur të mos i përfshijnë në listën prej 25 lojtarësh Khephren Thuram dhe Arkadiusz Milik, duke krijuar hapësirën e nevojshme për Zhegrovën.

Thuram ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale në gju në fillim të kësaj jave dhe pritet të ketë një periudhë rikuperimi, ndërsa Milik vazhdon të ketë probleme fizike pas një periudhe të gjatë të karakterizuar nga dëmtimet.

Në këtë vendim ka ndikuar edhe transferimi i Nick Woltemade, i cili iu bashkua Juventusit në ditën e fundit të afatit kalimtar dhe pritet të jetë një nga alternativat kryesore në repartin ofensiv.

Kështu, edhe pse Zhegrova mbeti jashtë listës për Europa League, kosovari do të jetë pjesë e skuadrës së Juventusit për Serie A.

Tani, 26-vjeçari do të kërkojë të bindë Spallettin për t’i dhënë minuta dhe për të fituar një vend në formacionin e bardhezinjve.

Shpërndaje në rrjete sociale